Lushnja, ja si do të shpërndahet buxheti
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Këshilli Bashkiak i Lushnjës miratoi fond-grantin prej 300 milionë lekësh të vjetër për subvencionimin e KF Lushnja 1930 sh.a.
Një fond që tashmë ka hyrë në fuqi sipas ligjit. Klubi lushnjar është në pronësi të Bashkisë Lushnjë, e cila është aksionerja e vetme e klubit.
Buxheti
Nënkryetari i Bashkisë së Lushnjës, njëherësh kryetar i Bordit të Lushnjës, Genti Nushi, në një prononcim për gazetën "Panorama Sport", shprehet:
"Është miratuar buxheti i Bashkisë Lushnjë për vitin 2016. Është miratuar subvencionimi në vlerën e 300 milionë lekëve të vjetër. Një vlerë që do të ndahet në zëra në fund të muajit mars. Do të mbulohen shpenzimet për ekipin e futbollit që do të jenë të njëjta.
Trajtimi nuk do të pësojë ndryshime. Ekipi, ashtu siç është trajtuar, do të vijojë të trajtohet. Do të shtohet mirëmbajtja dhe blerja e mjeteve të punës për stadiumin 'Roza Haxhiu' të Lushnjës", është shprehur kryetari i Bordit, Genti Nushi.
Ekipi
Lushnjarët vijojnë normalisht përgatitjet për ndeshjen e radhës që do ta luajnë këtë të shtunë në stadiumin "Gjorgji Kyçyku" të Pogradecit. Për këtë ndeshje, lushnjarët nuk do të kenë shërbimet e fantazistit Bekim Kuli që është dënuar pesë javë nga Komisioni i Disiplinës.
"Është një dënim tejet i ekzagjeruar, në raport me atë që ndodhi. Do ta apeloj nga pesë javë në dy", është shprehur kavajasi i lushnjarëve Bekim Kuli. Ndërkaq, ekipi po vazhdon normalisht seancat stërvitore për të qenë gati për ndeshjen e së shtunës.
Përgatiti: Alban Alushi