e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Luksemburgu, surpriza e shemtuar e Kombetares

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Luksemburgu, surpriza e shemtuar e Kombetares
Një skandal, një turp, një shëmti. Të gjitha epitetet e mundshme negative i meritonte Shqipëria për atë humbje katastrofike ndaj Luksemburgut, e cila lëkund të ardhmen e Josip Kuzhesë në stolin e Kombëtares. Tekniku e nis ndeshjen me një formacion të rreshtuar 4-3-3, të cilit, përveç mungesave të rëndësishme të Canës, Dallkut, Currit e Lilës, u ishte shtuar edhe Bulku në një formë jo të mirë, por që gjithsesi ishte pjesë e stolit. Ndërkohë që orientimi i tekniku kroat ishte sulmi, por që në fund rezultoi vetëvrasës për kuqezinjtë. Ndërkohë që në mbrojtje ishin munduar të përshtateshin Veliu në qendër të mbrojtjes përkrah Telit dhe në krah ishin Vangjeli e Agolli.

Mesfusha me Duron, Lalën e Skelën, ndërsa në sulm treshja Kapllani, Bogdani e Salihi. Minutat e para shikojnë një Shqipëri sulmuese, e cila vë nën presion kundërshtarin. Pas vetëm 6 minutash gjuan Skela, pas një pasi të marrë nga Salihi, por portieri i vendasve, Joubert, bën mrekullinë, duke mohuar një gol thuajse të sigurt. Pas disa minutash dominim, vendasit fillojnë të gjejnë hapësira në mbrojtjen tonë, ndërkohë në fushë është parë një ekip fodull. Krejt ndryshe nga ajo Shqipëri që rrezikoi të çudiste botën në ndeshjen e katër ditëve ndaj Francës. Që në dukje vuan sindromën e ekipit të vogël, i cili arrin të befasojë kundërshtarë të kalibrit, por që zhgënjen në ndeshje, të konsideruara absolutisht të kalueshëm lehtësisht. Dhe në minutën e 27 vjen surpriza e papritur: Betmer shfrytëzon një vendosje të gabuar të mbrojtjes, gjen hapësirën për të lëshuar një gjuajte diagonale, Ujkani e ka të zënë pamjen, dhe topi përfundon në cepin e majtë të portës.

Kundërpërgjigjja e kuqezinjve ishte e shpejtë: në minutën e 28 Bogdani, vetëm dy metra larg portës, i shqetësuar nga një mbrojtës vendas, e nxjerr topin atje ku dukej të ishte e pamundur, mbi traversë. Për meritë të Ujkanit në minutën e 38 nuk pësojmë një gol të dytë, që do të ishte vrastar. Shqipëria stonon shumë, dhe e vetmja gjë e bukur është një manovër e shkëlqyer e Salihit (si ajo kundër Malit të Zi), ku u koordinua mirë në një kros dhe lëshoi një gjuajtje, që befason të gjithë, por për fat të keq përfundon pak mbi traversë. Në pjesën e dytë pritej përmbysja e madhe, por nuk ka ndodhur aspak kështu.

Për ta komplikuar situatën duhej edhe kartoni i kuq i Agollit për nervozizëm të tepruar. Një iluzion ishte minuta e 64-t me golin e Bogdanit (golashënuesi më i mirë i Kombëtares me 15 gola), i cili pasi ndoqi gjuajtjen e Skelës, arriti të çonte topin në rrjetë. Por nata më e keqe e Shqipërisë konfirmohet në minutën e 78, ku i lënë i lirë në qendër të zonës, Johakim shënon një eurogol. Në minutën e 87, Bogdani merr edhe një karton të dytë të verdhë, rrjedhimisht i kuq dhe e lë kombëtaren me dy lojtarë më pak në momentin më të vështirë të saj. Minutat thjesht rrjedhin dhe kështu konturohet mbrëmja më e shëmtuar e futbollit shqiptar, e gjitha për t’u harruar, në të cilën i kemi dhënë fund një edicioni të nisur me ëndrra të mëdha, por që na ka përplasur në fytyrë një mbyllje katastrofike.