e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Hidhet shorti i sezonit te ri, skuadrat njohin kalendarin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Hidhet shorti i sezonit te ri, skuadrat njohin kalendarin
Kategoria Superiore e ka më në fund kalendarin e saj të ndeshjeve për sezonin e ri 2011-2012. Përfundimi i procesit të licencimit të klubeve i ka hapur dritën jeshile hedhjes shortit të kampionatit, i cili do të nisë pas vetëm 4 ditësh, më 10 shtator. Ka qenë një mbledhje maratonë e Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, ai i cili ka dhënë “Ok”, që ka zhbllokuar edhe ngërçin, që kishte mbajtur peng situatën deri tani, për shkak të problemeve të shumta të hasura gjatë procesit të licencimeve të klubeve. Kështu që hedhja e shortit ditën e djeshme në ambientin e FSHF-së ka prodhuar sfida interesante që në javën e parë të Kategorisë Superiore. Kampioni në fuqi i vendit, Skënderbeu, do ta nisë këtë edicion të mbrojtjes së kurorës duke pritur në shtëpi një emër të njohur të futbollit tonë, të rikthyer së fundmi në elitë, Tomorin.

Flamurtari, nënkampion i edicionit të fundit, provën e parë sezonale do ta ketë në shtëpi përballe Kamzës debutuese në Superiore. Tirana dhe Vllaznia, dy nga pretendentet kryesore për të fituar titullin në këtë sezon do të angazhohen përkatësisht ndaj Teutës së rinovuar dhe Laçit. Një përballje e nxehtë pritet të jetë edhe ajo në Ballsh mes Bylis dhe Shkumbinit, dy skuadrave që arritën të shpëtonin nga rënia një kategori më poshtë në sezonin e fundit. Pogradeci, i ngjitur në elitë si kampioni i edicionit të fundit të Kategorisë së Parë, do të startojë aventurën e tij në Superiore nga Kruja, ku do të ndeshet me Kastriotin. Ndërkohë që Dinamo, e cila aktualisht ende nuk ka një staf drejtues dhe një ekip futbollistesh të denjë për bluzën e saj, udhëton drejt Fierit, për t’u ndeshur me Apoloninë.