e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Luftëtari, kryqëzohen sulmuesit për rastet e humbura

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Luftëtari, kryqëzohen sulmuesit për rastet e humbura

Luftetari-SopotiDerbi i jugut, ai mes Luftëtarit dhe Butrintit, nxori fitues të besuarit e Mustafa Hysit falë 11-metërshit të Behar Ramadanit. Gjithsesi, fitorja e së shtunës vlen jo vetëm për statistikë, por edhe për të nxjerrë mësimet e duhura për numrin e rasteve të shpërdoruara, veçanërisht pas shënimit të golit.

Sportdashësit gjirokastritë dhe stafi teknik, përpos kënaqësisë së tri pikëve, mbeten në pritje të korrigjimit të "shënjestrës" të sulmuesve. Pavarësisht fitores me vlerën e tri pikëve, nga sa mësohet brenda kampit bluzi stafi teknik pritet që të bëjë edhe një analizë për takimin e fundit, për t'u ndalur në performancën e lojës sulmuese.

Edhe pse thuhet se fituesi nuk gjykohet, "shterpësia" e sulmit të Luftëtarit në javët e fundit duket se i ka lënë të pakënaqur mbarë aktorët sportivë në Gjirokastër.

Kualitetet e Luftëtarit nuk mungojnë, por ndoshta nënvleftësimi i kundërshtarëve, sipas sportdashësve, mbetet çështje për t'u ndalur. Një pakënaqësi të tillë trajneri Mustafa Hysi e shfaqi dukshëm pas takimit me Butrintin, gjë të cilin e përmblodhi me një fjali të vetme: "Më gëzon fitorja, por jo rastet e humbura".