e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Apolonia, presion për kreun

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Apolonia, presion për kreun

Loja e mirë dhe fitorja ndaj Sopotit ka rritur ndjeshëm entuziazmin tek Apolonia. Të besuarit e trajnerit Artan Mërgjyshi janë të bindur se shumë shpejt do të marrin kryesimin.Mergjyshi

Njëshi i pankinës fierake në një prononcim për "Panorama Sport" është shprehur entuziast për atë që dha ekipi në fushën e lojës. "Falë kolektivitetit, shpirtit të lartë të garës ia dolëm të arrinim fitoren e radhës dhe të merrnim tri pikë tepër të arta që na mbajnë në vendin e dytë dhe po katër pikë larg rivalit tonë, Luftëtari", është shprehur fillimisht Mërgjyshi.

Në vazhdim trajneri ka folur për vazhdimësinë. "Kemi një kalendar të fortë deri në fundin e fazës së dytë. Tashmë do të zhvillojmë dy ndeshje në transfertë me Turbinën dhe Dinamon për të pritur në javën e 18-të në një ndeshje direkte Luftëtarin.

Kjo kërkon përqendrim dhe vlerësim të kundërshtarëve. Ne do të kërkojmë që të marrim maksimumin prej tyre. Megjithatë, duke filluar nga nesër (sot), do të fillojmë të punojmë për përgatitjen e ndeshjes së radhës. Në pamje të parë është një ndeshje e lehtë, pasi do të luajmë me ekipin që renditet në vendin e parafundit. Por, nuk është aspak kështu.

Ata luftojnë për mbijetesë dhe do të bëjnë gjithçka që të marrin maksimumin ashtu si ne. Ndaj e mendoj një ndeshje të fortë me rivalitet. Ne do ta vlerësojmë dhe e respektojmë kundërshtarin dhe do të përgatitemi me intensitet e kujdesin e duhur që të dalim me sukses nga kjo sfidë e vështirë, por edhe tepër e rëndësishme.

Vazhdimësia? Kampionati është ende i gjatë. Lufta sportive do të ashpërsohet, pasi të gjitha ekipet do të kërkojnë të realizojnë synimet e tyre. Por kjo nuk na tremb. Ne kemi besim te skuadra e lojtarët tanë dhe jemi të bindur se në çdo ndeshje do të japin maksimumin në fushën e lojës.

E rëndësishme është që të qëndrojmë me këmbë në tokë, larg euforisë. Të ruajmë qetësinë, ritmin dhe mentalitetin fitues të shfaqur deri tani. Apolonia do të luftojë deri në fund për realizimin e objektivit që është ngjitja në Kategorinë Superiore", ka përfunduar trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi