Luftëtari, akuza për rrogat, tetë muaj pa u paguar
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas shkarkimit të dy shes drejtuese Mus tafa Hysi dhe Kristaq Ciko, te Luftëtari hidhen akuza në lidhje me rrogat.
Është trajneri i portierëve, Dritan Kristidhi, i cili akuzon hapur se nuk është paguar prej tetë muajsh dhe se largimi i tij nga stafi bluzi ka ardhur me dëshirën e tij dhe jo të jetë shkarkuar nga drejtuesit.
Akuzat
Në një prononcim për gazetën "Panorama Sport", ish-trajneri i portierëve te gjirokastritët shprehet: "Fillimisht, dua të sqaroj opinionin se jam larguar vetë nga Luftëtari dhe nuk jam shkarkuar ashtu siç është thënë nga klubi.
Nuk jam paguar prej tetë muajsh dhe përpara dy ditësh zhvillova një takim me donatorin Grigor Tavo. Diskutuam dhe i bëra të ditur se nuk mund të qëndroja më në stafin e skuadrës, në një kohë që nuk isha paguar.
Unë jam trajner portierësh me licencë të rregullt dhe nuk mund të pranoj një situatë të tillë", u shpreh jo pak i revoltuar Kristidhi në reagimin e tij për gazetën. Ai është njëkohësisht edhe trajner i portierëve të Kombëtares U-17.
Vendimi
Pas shkarkimit të dyshes Hysi-Ciko, janë bërë edhe zëvendësimet e rastit në stafin teknik të Luftëtarit.
Drejtori teknik Vasil Papa, që ka marrë tashmë edhe rolin e trajnerit, do të ketë ndihmës të përkohshëm Petraq Meçin dhe Ruzhdi Lamajn që do të zëvendësojë Kristidhin si trajner portierësh. Papës do t'i duhet të mbajë mbi supe barrën e rëndë të drejtimit të gjirokastritëve në dy ndeshjet e fundit të fazës së dytë.
Edhe pse askush nuk prononcohet lidhur me emrin e ri të trajnerit të skuadrës, burime konfidenciale të "Panorama Sport" bëjnë të ditur se emri i teknikut të ri do të mësohet vetëm pas përfundimit të ndeshjes mbyllëse të fazës së dytë me Apoloninë, e cila do të jetë edhe përcaktuese për kalendarin e fazës së tretë.
Në 16 takime që e drejtoi skuadrën, Hysi arriti 12 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje duke e lënë ekipin në vendin e parë të grupit.
Përgatiti: BESAR BOZGO