Agolli nxeh derbin: Partizani më kujton paradat e PPSH-së
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana prej vitesh ka një tifoz "të thekur" në Azerbajxhanin e largët. Dhe ai është pikërisht Ansi Agolli, një "Fanatics" i deklaruar dhe një produkt i gjithi bardheblu.
Edhe pse do të jetë i detyruar që një tjetër ndeshje ta ndjekë nga televizori, nuk heziton që të përcjellë adrenalinë për ish-shokët e ekipit.
Për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, 7 derbi pa fitore janë shumë. Por ai mendon gjithnjë pozitivisht dhe sheh një tjetër anë të medaljes nga këto statistika të errëta për klubin 24 herë kampion.
Ai rikujton vitet kur kryeqytetit i mungonin derbit, pasi Partizani militonte në Kategori të Dytë, ndaj mendon se tashmë futbollit i është kthyer bukuria dhe konkurrenca.
Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", Agolli na rrëfen kujtimet e kësaj përballje, ndërsa nuk ngurron që ta cilësojë ardhjen e Dajës si lëvizjen e duhur të drejtuesve. Nuk heziton që të "ngacmojë" edhe Partizanin, teksa deklaron se ata i kujtojnë paradat e Partisë së Punës së 1 Majit.
Ansi u bënë 7 derbi që Tirana nuk fiton. Ka ardhur koha e kthesës së madhe?
Për kryeqytetin, kjo është diçka pozitive në fakt, pasi futbolli ka nevojë për konkurrencë. Ka qenë një periudhë kur Partizani luante në Kategori të Dytë dhe rivalitet nuk mund të kishte, pasi nuk luhej as derbi. Ndërsa tani situata ka ndryshuar, ka më shumë konkurrencë edhe brenda kryeqytetit, gjë që i shërben futbollit.
Si e gjykoni kampionatin e Tiranës deri në këtë fazë?
Kampionati i Tiranës deri në këto momente nuk ka qenë shumë stabël. Dy fazat e para ka qenë plot ulje dhe ngritje, por ajo që më jep shumë optimizëm është fillimi i fazës së 3-të.
Europa është një mision i realizueshëm?
Nëse vazhdojnë kështu, besoj se edhe Europa do të jetë më pranë. Tirana nuk ka kryer shumë lëvizje në merkato, ndryshe nga Partizani, që ka edhe trajner të ri në pankinë.
Sa do të ndikojnë këto ndryshime të premten në fushë?
Ndryshimet e shpeshta në një ekip gjithmonë kanë pasojat e veta dhe, në shumicën e rasteve, janë negative. Si për shembull ndryshimi i trajnerit te Partizani nuk ka ndikuar pozitivisht. Nuk jam kundër trajnerëve të huaj, por Starova është një ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri, përpos kësaj, ai e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar. Është një "ujk i vjetër" me pak fjalë. Tirana ka qenë më e qëndrueshme, nuk ka pasur shumë ndryshime në janar dhe kjo është shumë pozitive dhe do të japë efektet e veta.
Tirana ka thyer disa tabu që pas ardhjes së Dajës, duke nisur nga Kukësi e Laçi. Mendoni se tani është radha e derbit?
Unë e njoh shumë mirë Dajën dhe dora e tij duket, nuk ka nevojë për shumë komente. Ekipit i është rikthyer stabiliteti, ndaj dhe rezultatet nuk do t'i mungojnë.
Përplasjet në derbi kanë nisur mes klubeve që me çmimet e biletave, parashikoni edhe në fushë një duel kaq agresiv?
Po nëse nuk do të ketë në fushë duele, atëherë më mirë të mos luhet derbi (qesh). Sigurisht që agresiviteti duhet të jetë brenda limiteve të "fair play"-it.
Tirana pa sulmues edhe në këtë derbi, sa do ta dëmtojë largimi i Hugo Almeidës?
Nuk mendoj se do ta penalizojë, por nëse do të ishte edhe ai, sigurisht që Tirana do të kishte një forcë më shumë në vijën e parë.
Pika më e fortë e të dyja skuadrave?
Pika më e fortë e Partizanit është mbrojtja, ndërsa te Tirana janë krahët.
Derbi i parë që ju vjen në mendje i karrierës suaj? Cila ka qenë ndeshja më speciale kundër Partizanit?
I pari që më vjen në mendje është i pari i karrierës sime, ka përfunduar 0-0 dhe stadiumi ishte i tejmbushur. Me speciali pastaj ai me shifrat 5-2. Ka qenë sezoni 2004-2005 dhe nga 4 ndeshje derbi, 3 i kemi fituar, me sa mbaj mend 1-0, 4- 0 dhe 5-2, ndërsa një tjetër ka përfunduar barazim 3 me 3.
Nëse përmendet Partizani, kush është përkufizimi i parë që ju vjen në mendje?
Përkufizimi i parë që më vjen në mendje janë ato paradat e 1 Majit dhe njerëzit që parakalonin duke shpalosur me krenari yllin e Partisë së Punës.
Ansi, a ju mungon fanella bardheblu?
Më mungon shumë, por gjithsecili mundohet që të bëjë zgjedhjen më të mirë për karrierën e tij, duke marrë parasysh faktin që futbolli nuk zgjat përjetësisht. Ato vite që ke në dispozicion duhet t'i shfrytëzosh më së miri për një të ardhme më të mirë.
A do të donit që të ishit në fushë të premten?
Nuk ka lojtar shqiptar që s'do donte të ishte të premten në fushë, ndaj nuk do bëj përjashtim as unë.
Ku do ta ndiqni ndeshjen, në stadium apo televizor?
Në shtëpi, në Baku. Do ta ndjek nga televizori.
Lëvizja më e mirë që ka bërë Tirana këtë sezon dhe gabimi më i madh?
Lëvizja më e mirë ka qenë marrja e trajnerit Daja. Gabimi më i madh ka qenë neglizhenca në 2 fazat e para. Duhet që të ishin treguar më cinikë.
A do guxonit që ta parashikonit rezultatin?
E vështirë shumë, por po them 2 me 1 për Tiranën. Ndonëse tani po flas si tifoz, të jemi të qartë (qesh).
Kush do të jetë lojtari që do bëjë diferencën?
Për Partizanin mendoj se Trashi, ndërsa Bakaj te Tirana. Ka garë për Europën, por edhe për titullin.
Ka shanse Partizani që të fitojë kampionatin?
Mendoj se Partizani ka bërë një kampionat mjaft të mirë deri më tani, ka shanse reale për të pretenduar.
E fundit, a do të jetë përcaktues gjykimi në këtë 90- minutësh?
Shpresoj që jo.
Përgatiti: ADELA MERKO