e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Apolonia, dhurata në shtesë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Apolonia, dhurata në shtesë

Apolonia vazhdoi serinë e fitoreve duke mundur edhe Turbinën në transfertë. ApoloniaTashmë, fierakët janë afruar me dy pikë nga vendi i parë që mbahet nga Luftëtari. Por, ajo që ra në sy në sfidën e së shtunës ishte një moment shumë i diskutueshëm në pjesën e dytë.

Sipas pamjeve filmike, duket se topi i goditur nga një prej lojtarëve fierakë e kaloi vijën fatale, por që gjyqtarët nuk e akorduan.

Trajneri Mërgjyshi përfundoi në tribunë pas protestave të ashpra për këtë rast. Ashtu si edhe në disa raste në Superiore, me sa duket, do të duhet që të shtohen ndeshjet ku të ketë arbitra prapa porte.

Megjithatë, ishte mbrojtësi Ervis Kaja që shpëtoi skuadrën duke realizuar në minutat e fundit. Një mbrojtës që këtë sezon është shndërruar në "sulmues" të vërtetë, pasi ka shënuar katër gola. Madje, në dy raste, ndaj Lushnjës dhe të shtunën e kaluar ndaj Turbinës ka realizuar golat e fitores në minutat e fundit.

Kaja

"Nuk ishte aspak e lehtë, ashtu siç mund të mendohej. Kjo për shkak të terrenit tejet të vështirë, por edhe se kundërshtari që lufton për mbijetesë luajti fort dhe kërkoi me të gjitha forcat të arrinte një rezultat pozitiv.

Megjithatë, ne ishim përgatitur me kujdes. U futëm në fushë vetëm për fitore. Të gjithë luajtëm me shpirt të lartë gare dhe të disiplinuar duke treguar karakter sportiv. Para golit, në një moment topi kaloi rreth 50 cm vijën fatale, por që nuk u akordua gol nga gjyqtari anësor që kishte pamje të plotë. Pa dyshim që kjo na nervozoi.

Por, gjithsesi nuk e humbëm besimin te fitorja. Nuk kishim çfarë të humbisnim dhe u hodhëm të gjithë në sulm në kërkim të golit të avantazhit. Në limitet e lojës së rregullt, pas një kundërsulmi të skuadrës sonë, topi harkohet në zonë dhe unë u ndodha në vendin dhe momentin e duhur dhe e dërgova topin në rrjetë. Ishte një gol që na dhuroi një fitore të bukur e plotësisht të merituar. Ua dedikoj prindërve dhe bashkëshortes sime.

Tashmë kjo ndeshje ka mbetur prapa dhe ne na duhet të mendojmë dhe të punojmë për të përgatitur sfidën e radhës. Jemi vetëm dy pikë larg ekipit kryesues dhe ne të gjithë besojmë se shumë shpejt do të bëjmë rokadë me Luftëtarin", deklaroi Kaja në prononcimin e tij.

Përgatiti: MIKEL MBRIÇAJ