Liverpuli sfidon Sitin, Pelegrini: Rahim, të pret ferri!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sikur të ishte një ndeshje si finalja e së dielës në "Uembli", tifozët do të shijonin një tjetër mbrëmje spektakolare, këtë herë në Premier Ligë kur Mançester Siti të vizitojë Liverpulin sot në "Anfield Road". Spektaklin e garantojnë edhe statistikat e këtij dueli:
34 gola kanë prodhuar 9 ndeshjet e fundit mes tyre në të gjitha kompeticionet, mesatarisht 3.8 gola për ndeshje dhe gjatë kësaj serie asnjë skuadër nuk e ka ruajtur portën të paprekur.
Liverpuli nuk ka fituar ende në vitin 2016 një ndeshje të kampionatit në shtëpi, por sot do të ketë një arsye më tepër për t'u hakmarrë për humbjen e trofeut të parë të sezonit nga ruleta e penalltive. Por Mançester Siti nuk fiton në 12 vizitat e fundit të Premier Ligës në "Anfield": 4 barazime, 8 humbje.
Klop
Trajneri i "reds"-ave largon presionin nga skuadra e tij, e cila vetëm mund t'u prishë punë "qytetarëve" në garën për titull.
"Gara e titullit për ne nuk është interesante, sepse ne nuk jemi pjesë e saj. Ky është një lajm i keq, por i vërtetë. Prandaj nëse dikush duhet të shpallet kampion, ai duhet të jetë kampion pa ndihmën tonë, pa pikët tona. Kjo është kampionia e vërtetë.
Unë nuk e di kush mund ta fitojë titullin në këto momente, sepse ka disa ekipe. Ajo që mendoj tani është sesi të fitojmë ndaj Sitit", deklaroi Jyrgen Klop.
Pelegrini
Ndërsa Manuel Pelegrini pranon se presioni është mbi skuadrën e tij. "Nëse je 9 pikë pas vendit të parë, atëherë marzhina e gabimit të lejuar është më e vogël. Por nëse matematika na lejon që të shpresojmë, atëherë ne duhet të besojmë gjithnjë se mund t'ia dalim.
Jam i sigurt se skuadra do të vazhdojë të rritet deri në fund të sezonit. Më kujtohet kur erdha dy vite më parë dhe Siti fitoi titullin me Mançinin.
A nuk ishte ekipi 8 pikë pas Junajtid? Gjithçka mund të ndodhë", tha trajneri kilian, i cili paralajmëroi edhe Rahim Sterlingun se e pret ferri në rikthimin e tij të parë në "Anfield" pasi la Liverpulin:
"Unë nuk e di ende formacionin që do të startojë, por një lojtar është e sigurt që do jetë titullar dhe ai është Rahim Sterling. Ai do përballet me vërshëllimat dhe presionin e ish-tifozëve të tij, por unë jam i sigurt se do arrijë t'i përballojë ato".