e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Presidenti Demi:Agostineli qëndron, Tirana nuk ka shanse

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Presidenti Demi:Agostineli qëndron, Tirana nuk ka shanse

Numri 1 i klubit të kuq, në një interv istë për "Panorama Sport", hedh poshtë çdo dyshim për një tronditje të mundshme të pankinës së trajnerit italian, duke e garantuar atë dhe stafin e tij se do vazhdojnë të jenë gjatë pjesë e një projekti për "Partizanin e madh".
agostineli demiMadje, sipas tij, nuk është kusht për vazhdimësinë e tij as rezultati i derbit dhe as titulli kampion. Tani fjala është e futbollistëve në fushë dhe e tifozëve që duhet të fillojnë të vijnë në stadium...

Cila është gjendja e skuadrës në prag të derbit, duke pasur parasysh që vini pas një barazimi në Pukë, të cilin pakkush e kishte parashikuar?

Do të donim ta fitonim atë ndeshje, por ky nuk është fundi i botës. Edhe Frosinone barazoi në Torino ndaj Juventusit dhe nuk ndodhi asgjë. Skuadra vazhdon të stërvitet qetësisht për ndeshjen e radhës.

Sidoqoftë, nuk ka sesi të mos ju ketë lënë asnjë përshtypje, aq më shumë për lojën e zhvilluar...

Kur them që nuk ka ndodhur asgjë, kuptohet që kjo është një thirrje për ekipin që të vazhdojë të shohë përpara, pasi janë edhe shumë pikë në lojë dhe ne ende jemi në garë, madje së bashku me Kukësin, skuadra nënkampione e sezonit të shkuar, por edhe me Tiranën e Teutën. Por, që të jem i sinqertë, jam shumë i pakënaqur nga loja e futbollistëve tanë dhe sigurisht që prisja shumë më tepër nga ai takim. Megjithatë, një kompliment kam edhe për pukjanët që na penguan me "fair play", duke mos na vjedhur asgjë.

A ju kanë lindur tashmë dyshime për trajnerin Agostineli, apo vazhdoni t'i qëndroni asaj se keni bërë zgjedhjen e duhur?

S'kam as më të voglin dyshim që Agostineli dhe stafi teknik vazhdon të ketë besimin tim maksimal, madje i kam kërkuar që të vijojnë punën normalisht. Trajneri, por edhe ndihmësit e tij janë pjesë e një investimi për një Partizan europian dhe ky projekt nuk është çështje orësh apo ditësh, por është çështje vitesh. Jo rastësisht kemi përzgjedhur staf të gjithin italian, duke besuar te profesionalizmi i tyre, ndoshta edhe tek eksperienca. Kam përshtypjen që shumë shpejt edhe për ju do të jetë i natyrshëm qëndrimi i tyre në krye të pankinës së Partizanit.

OK, por në ditën e prezantimit është thënë që titulli kampion është një kërkesë taksative për stafin e ri, gjë që është pranuar edhe nga Agostineli. A vazhdoni ta konfirmoni një objektiv të tillë?

Kampionati vazhdon të jetë një objektiv i yni, por ajo që ju konfirmoj është se as rezultati i derbit dhe as humbja e trofeut nuk do të jenë "gijotina" e Agostinelit. Kam tre vite në krye të Partizanit, duke e sjellë nga kategoritë inferiore dhe gjatë të gjithë kësaj periudhe kemi qenë kryesues. Partizani është vërtet një emër i madh, por unë jam koshient që pas një shkëputjeje të gjatë duhet të rifitosh eksperiencë dhe për këtë duhet durim.

Gjithsesi, ndonjëherë ajo që ka çeduar ka qenë loja në fushë. A ju ka bezdisur ky fakt?

Prandaj e ritheksoj që unë dua të shoh në fushë Partizanin e vërtetë. Pra, futbollistë që ta ndiejnë fanellën, që të japin të kuptosh se po kontribuojnë për të rilindur traditën. Sesi e rreshton skuadrën në fushë është trajneri që vendos dhe unë nuk kam pse të ndërhyj, pasi nuk është as fusha ime. Personalisht do të më pëlqente të ishte një skuadër sulmuese dhe vetëm kaq, gjë që sigurisht u pëlqen të gjithëve.

Ishin po këta specialistë që ju diktuan merkaton, si e konsideroni tani pas dy muajsh?

Kështu janë merkatot e janarit, por absolutisht nuk është e dështuar, nëse keni pasur këtë në mendje kur më pyetët. Atanda dhe Torasa janë gjetje, por edhe Felipe është një futbollist që premton, megjithëse nuk është 100% në kondicion. Fili gjithashtu është lojtar me cilësi dhe prespektivë. Kaq nuk janë pak. Keni thënë se "sa të jem unë president, Tirana nuk fiton asnjë derbi".

Një i tillë do të luhet të premten...

Përsëri do të fitojmë ne dhe kam besim se djemtë do të japin gjithçka kanë për këtë ndeshje të madhe. Çfarë ka ikur nuk kthehet më pas. Tani është fjala e tyre në fushën e lojës. Një gjë jua them me bindje: nuk jemi ne nën presion.

Cili është komenti juaj për indiferencën e tifozëve, qoftë edhe në ndeshjet tuaja në "Qemal Stafa" dhe a keni një mesazh për ta në prag të derbit?

Të them të vërtetën nuk jam i kënaqur as me mbështetjen e tyre, pasi ne jemi munduar t'i mbështesim në çdo transfertë, pasi na intereson mbështetja e tyre dhe s'e konsiderojmë sforcim financiar të klubit. Unë i bëj thirrje të sillen si lojtari ynë i 12-të, pasi i konsiderojmë pjesë të rëndësishme tonën. Ndërsa një pjesë mendoj se duhet t'i lënë kritikat nëpërmjet rrjeteve sociale, që nganjëherë kanë marrë përmasat e akuzave. Ne investojmë për një Partizan të madh dhe as nuk shesim e as nuk blejmë ndeshje, të tjerat janë barsoleta.

Dhe, në fund, diçka për debatin që u hap rreth çmimit të biletave?

Janë të njëjtat me ato që caktoi klubi i Tiranës kur ishte pritës. Ndryshimi është që ne do të sponsorizojmë një pjesë të çmimit të tribunës përballë për tifozët tanë, pasi e kemi politikë të klubit. Ata nuk ka pse të nxjerrin polemika nga hiçi, por le të bëjnë të njëjtën gjë për tifozët e tyre.

Përgatiti: ARMAND HALILI