Lila titullar në vend të Roshit, trajneri De Biazi shton muskujt
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mesfushë e ngjeshur, lojë nga krahët dhe krosime drejt zonës.
Kjo është strategjia që do të ndjekë trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, për sfidën e sotme ndaj Austrisë.
Tekniku italian nuk ka shumë dyshime për formacionin që do të hedhë në fushën e lojës.
Skema do të jetë e njëjtë, me atë që De Biazi arriti të bënte realitet ëndrrën e shqiptarëve, 4 mbrojtës, 5 mesfushorë dhe 1 sulmues. Në portë do të qëndrojë si gjithmonë Etrit Berisha, ndërsa përpara tij Hysaj, Cana, Mavraj dhe Agolli. Katërshja e mbrojtjes nuk pritet të ketë shumë surpriza dhe numri një i Kombëtares do të aktivizojë katër lojtarët që kanë luajtur më shumë gjatë eliminatoreve të Europianit.
Balotazhet
Në mesfushë pritet të aktivizohen pesë futbollistë, për t'u bërë ballë sulmeve dhe lojës së Austrisë. Përpara mbrojtjes do të rreshtohen Xhaka, Abrashi dhe Kaçe. Dy të parët do të kenë më shumë detyra mbrojtëse, ndërsa i fundit do të kujdeset edhe për të ndërtuar lojën. Nga krahët, do të ketë vend për Andi Lilën dhe Ermir Lenjanin. Kavajasi është në balotazh me Odise Roshin, por duket më i avantazhuar për ta nisur titullar.
Austria do të luajë me skemën 4-2-3-1 dhe për këtë fakt De Biazi kërkon të bllokojë lojtarët më të rrezikshëm që aktivizohen pikërisht në këtë repart.
Dilema e përhershme e De Biazit është reparti i sulmit. Sokol Cikalleshi dhe Bekim Balaj "luftojnë" për një vend titullari, por shkodrani duket më i favorizuar për ta nisur ndeshjen si titullar. Duke përfituar nga shtatlartësia e shkodranit, De Biazi mund të luajë edhe me krosime nga krahët për të goditur Austrinë.
Dëmtimet
Shkëlzen Gashi dhe Ledian Memushaj nuk janë të gatshëm për këtë sfidë. Dy futbollistët e Kombëtares nuk janë në kushte optimale dhe trajneri De Biazi nuk do t'i rrezikojë për ndeshjen e sotme.
Gashi është dëmtuar dy ditë më parë në pulpë, ndërsa shqetësime ka pasur edhe mesfushori vlonjat i Peskarës. Nuk dihet ende nëse lojtarët do të jenë të gatshëm për ndeshjen e ardhshme ndaj Luksemburgut.