e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Borxhi i Ristevskit, 6 ditë afat, klubi i detyrohet 25 mijë dollarë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Borxhi i Ristevskit, 6 ditë afat, klubi i detyrohet 25 mijë dollarë

Fundi i këtij muaji do të jetë vendimtar për çështjen "Ristevski". Burime në FSHF zbulojnë se Tirana duhet që ta shlyejë ishmbrojtësin brenda datës 31 të muajit mars.

ristevski

Vetëm kështu mund të shmangte penalitetet e mundshme që vijnë nga ana e FIFA-s. Rastet sikundër dihet janë të shumtë, por i pari në listë duket se është pikërisht maqedonasi, i cili prej kohësh e ka fituar gjyqin në Dhomën e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, me seli në Zvicër.

Ndërkombëtarët i kanë dhënë të drejtën futbollistit për 5 rroga të padhëna nga kryeqytetasit, shto këtu edhe bonuse, që me përafërsi shkojnë në 25 mijë dollarë (ku më pak e ku më shumë). Lojtari i Kombëtares së Maqedonisë ka arritur një pakt me përgjegjësit e tij ligjorë dhe janë këta të fundit që kanë negociuar me Tiranën për ta mbyllur me sukses këtë çështje.

Këtë gjë e bën të ditur për "Panorama Sport" vetë 26-vjeçari, i cili deklaron se: "Po merret avokati im me gjithçka, por me sa më ka informuar afati i fundit që të mbyllet totalisht kjo çështje është data 31 mars. Deri në këtë afat duhet që të bëhet pagesa". Në total, shuma për rastet më imediate shkon në 215 mijë euro dhe, veç pagesës ndaj mbrojtësi maqedonas, në këtë listë janë futbollistë si Tomislav Bushiç, Selemani Ndikumana, Pero Pejiç dhe ndonjë tjetër.

Megjithatë, gjasat janë që bardheblutë të mos rrezikojnë dhe brenda afatit të vendosur të mbyllin detyrimet ndaj Kire Ristevskit. Ishte vetë presidenti Refik Halili, i cili pak ditë më parë, i ftuar në një emision televiziv, sqaroi se do të mbyllen me sukses që të gjitha borxhet që ushtrojnë presion nga ana e FIFA-s. "Deri më 11 prill do paguhen të gjitha borxhet sportive që shkojnë në 215 mijë euro, për të cilat FIFA ushtron presion.

Ndërsa çështjen 'Kastrati', që ka ndodhur në kohën kur klubi drejtohej nga bashkia, sërish unë do ta zgjidh deri në fund të këtij muaji. Edhe pse nuk më takon, kam negociuar me grekët për të shmangur penalitetet. Deri më tani kam shlyer 216 mijë euro (Heples, Santos, Lika, Pigoni, Sina), ndërsa bashkë me borxhet ndaj elektrikut shkojnë në afro 250 mijë euro", pat deklaruar presidenti i Tiranës.

Përgatiti: ADELA MERKO