Udhëtim mes batutave, Milot Rashica u bashkohet kuqezinjve
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
E premtja ishte dita kur kuqezinjtë do të udhëtonin drejt Vjenës, aty ku sot do të zhvillohet ndeshja miqësore kundër Austrisë, që është e para për këtë vit.
Dje paradite trajneri Xhani De Biazi kishte menduar ta linte pushim skuadrën, duke qenë se pasdite në program ishte zhvillimi i stërvitjes së fundit në stadiumin ku do të luhet miqësorja.
Në orën 13:15 autobusi që do të dërgonte ekipin kuqezi nga Durrësi në Rinas ishte gati për nisje nga rezidenca "Tropikal Resort". Fillimisht, në sheshin përpara hotelit, lojtarët dhe stafi teknik bënë një foto të gjithë së bashku, si një ogur i mirë për udhëtimin.
Më pas De Biazi miratoi kërkesën e "Panorama Sport" për të shkrepur disa foto nga brenda autobusit. Atmosfera ishte entuziaste dhe me batuta të shumta. Trajneri dukej në formë, duke ngacmuar shpesh ndihmësin e tij, Tramexani.
"Për Austri, me Austrian, kundër Austrisë", shkruante Agolli në "Facebook", teksa postonte një foto me zv.trajnerin Tramexani pak para nisjes. Ndërsa edhe menaxheri Bushi nuk mbetej pas. Dje skuadrës kuqezi iu bashkua në këtë udhëtim edhe mesfushori Milot Rashica, i cili pritet të debutojë në sfidën pasardhëse ndaj Luksemburgut. Në fytyrat e lojtarëve konstatohet fare lehtë optimizmi dhe serioziteti me të cilën i kanë marrë këto dy përballje. Në orën 14:00 skuadra mbërriti dje në aeroportin e Rinasit, për t'u nisur më pas në 15:00.
Ekipi ka kaluar në sallën VIP të aeroportit, për t'u ngjitur më pas në avionin e linjës Tiranë-Vjenë. Rreth orës 16:30, pas një udhëtimi prej afro 90 minutash, skuadra mbërriti në kryeqytetin austriak, duke u akomoduar në një prej hoteleve luksoze të Vjenës. Lojtarët nuk pushuan më shumë se dy orë, sepse në 19:00 duhet të kryenin stërvitjen e fundit në stadiumin "Ernst Hapel".
Përgatiti: L.Musaj