Dunga sulmon Zidanin: Gënjeu për Marselon
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Konfliktet mes Brazilit dhe Realit nuk kanë fund.
Shkak është gjithmonë mbrojtësi brazilian Marselo. Ditën e djeshme ka qenë trajneri i kombëtares braziliane, i cili përpara mediave ka deklaruar hapur se Reali nuk e lejon Marselon të grumbullohet me kombëtaren. Sipas numrit një të "seleçaos", madrilenët thonë se Marselo është i dëmtuar dhe nuk japin lejen për grumbullimin e tij.
Dunga i rebeluar
Karlos Dunga nuk e ka pritur aspak mirë vendimin e Realit për të mos lejuar mbrojtësin Marselo për t'u grumbulluar me kombëtaren. Ai thotë se futbollisti i madrilenëve është aktivizuar rregullisht në javët e fundit dhe nuk ka asnjë shqetësim.
"Jemi gati të tregojmë mesazhet mes mjekut tonë dhe atij të Realit. Ai ka thënë se Marselo është i dëmtuar dhe nuk kemi komunikuar me asnjë tjetër. Unë kam shumë defekte, por me ju jam gjithmonë i drejtë dhe i them gjërat hapur", ka thënë Dunga përpara gazetarëve. Më tej, ai vazhdoi të fliste edhe për raportin me trajnerin Zidan.
"Federata braziliane e ka shumë të vështirë të komunikojë me të dhe për këtë fakt jemi të shqetësuar. Nga ana tjetër po përgatitemi me qetësi dhe nuk mund ta bëjnë tragjedi këtë fakt. Disa gjëra i kuptojmë, por nuk mund t'i pranojmë të gjitha", përfundoi tekniku i Brazilit.
Konflikti i dytë
Kjo nuk është hera e parë që ka një konflikt mes palëve sepse pak muaj më parë, Reali nuk e kishte njoftuar mbrojtësin për një ftesë nga kombëtarja e tij. Marselo nuk dinte asgjë dhe reagoi ashpër nëpër media duke thënë se ndihet shumë i ofenduar që nuk u grumbullua.
"Nuk e di përse s'grumbullohem", ka thënë Marselo, pa kuptuar që klubi i tij nuk e kishte njoftuar për faktin se kishte mbërritur një ftesë për të. Në fakt, në atë kohë Marselo nuk ishte në formën e duhur fizike, edhe pse u aktivizua disa minuta me Realin. Aktualisht braziliani po përgatitet maksimalisht në prag të sfidës me Barcelonën, e cila do të luhet fundjavën e ardhshme.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI