e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Liga e Kampioneve kthehet me fishekzjarre

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Liga e Kampioneve kthehet me fishekzjarre

6 Çerekfinale - Barcelona ka arritur të kualifikohet në 6 çerekfinale radhazi dhe kërkon të përmirësojë këtë statistikë përballë Sitit

1 Humbje – Disfata 3-1 përballë Bajernit në fazën në grupe ishte e vetmja në 23 ndeshjet e fundit europiane në shtëpi të Mançester Sitit

10 Gola - PSG ndan me Real Madridin shifrën e 10 golave të shënuar jashtë fushe në tre ndeshjet e fazës së grupe të këtij edicioni

3 Trofe - Klarens Sedorf debuton si trajner në Ligën e Kampioneve, trofe që e ka fituar si lojtar me Ajaksin, Real Madridin dhe Milanin

Kthehet aktiviteti më entuziazmues për klube në futbollin botëror, Liga e Kampioneve, me fazën e parë të eliminimit direkt që do të dhurojë përballje të mëdha që në katër sfidat e para të saj që luhen në këtë javë. Në këtë pikë të turneut, ndeshjet luhen në dy javë të ndryshme, me katër përballjet e para të ndara mes ditës së sotme dhe të nesërme, ku regjistrohen dy finale të parakohshme.

Gjithçka nis sot me supersfidën Mançester Siti-Barcelona, skuadra që nuk janë vënë asnjëherë përballë njëra-tjetrës në aktivitete zyrtare. Nga njëra anë, është Mançester Siti që ka ardhur për herë të parë në këtë fazë të turneut, por me përbërjen që ka, garanton rivalitet për çdo ekip që i vihet përballë. Anglezët janë i vetmi ekip europian që është në garë në këtë pikë të sezonit për katër trofe të ndryshëm, që do të thotë se janë shumë më konkurrues se në edicionet e mëparshme ku përqendroheshin vetëm në një turne, dhe zakonisht jo në atë ndërkombëtar. Nga ana tjetër është Barcelona, që në dekadën e fundit ka qenë gjithmonë pretendente për fitoren e Ligës së Kampioneve dhe ia ka dalë ta bëjë të vetin trofeun në tre edicione gjatë kësaj periudhe. Për katalanasit, vendimtar është kthimi në formën më të mirë të Lionel Mesit, i cili ka lënë pas problemet fizike të pjesës së parë të sezonit dhe do të kërkojë të kthehet një figurë qendrore në manovrën e katalanasve. Kuptohet që detyra kryesore e Mançester Sitit do të jetë ajo e bllokimit të argjentinasit, për të mos e lejuar të bëhet faktor në një turne ku ai zakonisht ka shkëlqyer.

Ndeshja tjetër e ditës së sotme vë përballë Bajer Leverkusen dhe PSG, dy skuadra të tjera që nuk njohin asnjë precedent në arenën ndërkombëtare. Ecuria aktuale e dy ekipeve është krejtësisht e ndryshme, pasi Leverkusen vjen pas një momenti aspak të mirë, me dy humbje radhazi në shtëpi. Disfata në Kupë me Kaizerslautern dhe pastaj ajo në Bundesligë ndaj Shalkes, kanë shqetësuar disi atmosferën në radhët e skuadrës gjermane, që padyshim nuk shihet si favorite në këtë sfidë, pasi përballë ka francezët që janë kthyer në superfuqi të futbollit europian. PSG u eliminua në çerekfinale në edicionin e kaluar, por me emra si Ibrahimoviç, Kavani, Laveci apo Pastore në përbërje, është kthyer në një skuadër të frikshme dhe një pretendente për të fituar këtë vit atë që është kthyer në objektivin madhor të këtij klubi.

E mërkura garanton një tjetër finale të parakohshme, atë mes Arsenalit dhe Bajern Mynih. Dy skuadrat u ndeshën në këtë pikë të turneut edhe në sezonin e kaluar, me bavarezët që u kualifikuan vetëm falë rregullit të golit në fushën kundërshtare, pasi triumfuan 3-1 në Londër, ndërsa u mundën 2-0 në fushën e tyre në ndeshjen e kthimit. Bajern mbetet favorit, jo vetëm sepse është fitues në fuqi i turneut, por edhe sepse ka bërë formalitet kampionatin gjerman ku kryeson me 16 pikë diferencë nga ndjekësit dhe ka luksin të përqendrohet tërësisht te Liga e Kampioneve. Ndërsa Arsenali duhet të bëjë llogaritë edhe me kampionatin, ku ndien trysninë e tifozëve që kërkojnë nga skuadra të fitojë trofe pas shumë sezoneve të mbyllura duarbosh.

Ndeshja e katërt e kësaj jave të parë, por jo më pak e rëndësishme se të tjerat, është një duel shumë interesant mes Milanit dhe Atletiko Madrid. Në çdo edicion të mëparshëm, skuadra italiane do të cilësohej si favorite për të kaluar në çerekfinale, por jo në këtë edicion. Shkak janë problemet e shumta që kanë shfaqur kuqezinjtë, të cilët larguan trajnerin Alegri dhe i dhanë mundësinë e debutimit në këtë detyrë, ish-futbollistit Klarens Sedorf. Nga ana tjetër, Atletiko Madrid është një nga skuadrat më në formë në kampionatet europiane, siç e tregon fakti që po lufton pikë për pikë përkrah Real Madridit e Barcelonës në kampionatin spanjoll. Me pak fjalë, çdo minutë është për t’u shijuar në këto katër përballje të para të fazës me eliminim të Ligës së Kampioneve, turne ku spektakli është i garantuar deri në finalen e madhe të majit.

Deklaratat

Simon Rolfes (B. Leverkusen) - “Jemi jofavoritë, por do të shtyjmë deri në kufijtë tanë. Shumë nga ne jemi rritur me këtë melodi të Ligës së Kampioneve, është ende diçka shumë e veçantë për ne ta dëgjojmë atë”

Loran Blank (PSG) - “Ndihet atmosfera e Ligës së Kampioneve në skuadër, të gjithë po presin me padurim këtë ndeshje. Por duhet të kemi kujdes, Leverkuseni është një skuadër shumë e rrezikshme në kundërsulm”

Manuel Pelegrini (M. Siti) - “Është e vështirë të ndalësh Mesin, pasi ai është një yll i futbollit botëror. Ka shpejtësi, teknikë, finalizim. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm, por Barcelona nuk është vetëm Mesi”

Zherard Pike (Barcelona) - “Mendoj se ndoshta kundërshtarët nuk na kanë frikë si dy sezone më parë, pasi nuk e kemi fituar më Ligën e Kampioneve. Por ata gjithsesi na respektojnë për përbërjen dhe historinë tonë”

Adil Rami (Milan) - “Ata janë një skuadër e fortë. Nuk janë skuadra tipike spanjolle si Barcelona që do të mbajë topin. Janë të shpejtë, pëlqejnë të luajnë në kundërsulm dhe kanë përpara Diego Kostan”

Raul Garcia (A. Madrid) - “Milani është një skuadër historike dhe nuk ka sesi ne të jemi favoritë. Po luajmë ndaj një rivali të fortë në një stadium të vështirë. Do të jetë një ndeshje taktikë, me shumë pak hapësira”

Per Mertesaker (Arsenal) - “Duhet të luajmë dy ndeshje perfekte. E dimë që mund t’i mposhtim, por psikologjikisht jemi më mirë se në sezonin e kaluar ku ne i respektuam më shumë sesa duhej, duke ia lehtësuar punën”

Filip Lahm (B. Mynih) - “Nuk do të luajmë për një barazim pa gola. Sigurisht, duam të fitojmë në Londër. Por nuk do të jetë e lehtë. Ata do të kenë moralin e lartë pas fitores ndaj Liverpulit në fundjavë”

Liga e Kampioneve

Sot

M. Siti-Barcelona

B. Leverkusen-PSG

Të mërkurën

Milan-A. Madrid

Arsenal-B. Mynih

25.02.2014

Zenit-B. Dortmund

Olimpiakos-M. Junajtid

26.02.2014

Gallatasaraj-Çelsi

Shalke-Real Madrid