e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tirana, mbijetesa nuk eshte me utopi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana, mbijetesa nuk eshte me utopi

Kanë mjaftuar 3 ndeshje në vitin 2014 që Tirana të përmirësojë ndjeshëm shanset e saj për të mbijetuar në Kategorinë Superiore. Bardheblutë kanë pësuar një transformim të ndjeshëm pas merkatos së janarit, me afrimin e futbollistëve cilësorë dhe këtë e kanë vërtetuar falë 7 pikëve të siguruara në këto 3 ndeshje, duke arritur që të shkurtojnë brenda pak kohësh diferencën e thellë që ekzistonte me skuadrat që gjenden jashtë zonës së ftohtë të klasifikimit.

Për herë të parë në këtë sezon, Tirana fitoi dy ndeshje radhazi në Superiore dhe këtë “arritje” bardheblutë e regjistruan pikërisht ndaj një kundërshtari direkt në luftën për mbijetesë, Bylisit, për më tepër në transfertë. Skuadra e Maganit arriti të dominonte në këtë sfidë të vështirë, duke krijuar raste të njëpasnjëshme para portës së Frashrit. Ky i fundit ishte heroi i vërtetë i ndeshjes për ekipin vendas, pasi ishte vetëm meritë e tij nëse rrjeta e Bylisit mbeti e paprekur deri në pjesën e dytë të kësaj sfide. Goli i vetëm i ndeshjes, ai që u dha suksesin bardhebluve, erdhi nga një blerje e janarit, sulmuesi nga Burundi, Ndikumana, i cili korrigjoi gabimet e shumta para katërkëndorit kundërshtar, duke çuar topin në rrjetë pas një kombinimi me Morinën. Më pas, Tirana arrin të ulë ritmin e lojës dhe të mos i krijojë mundësitë Bylisit që të rrezikojë portën e saj, për të marrë tri pikë shumë të vlefshme në luftën për mbijetesë. Bardheblutë kanë parë veten të ngjiten në vendin e parafundit në klasifikim, vetëm falë një golavarazhi më të mirë se Lushnja. Ndërsa Bylisi mbetet plotësisht i përfshirë në luftën për mbijetesë, falë vetëm 1 pike të siguruar në vitin 2014 në 3 ndeshje të luajtura në Superiore.

Në luftën për mbijetesë rrezikon të përfshihet përsëri Flamurtari, që ka harruar si fitohet dhe nuk po shfaq më lojën e pjesës së parë të sezonit. Vlonjatët janë ndalur në barazim 1-1 në fushën e tyre nga Laçi. Kurbinasit kanë bërë gjithçka mirë në pjesën e parë të sfidës, duke arritur edhe të kalonin në avantazh falë një goli të jashtëzakonshëm nga distanca të Vucajt. Por po aq i bukur ishte edhe goli me të cilin Telushi barazoi shifrat në minutat shtesë të pjesës së parë, duke vendosur baraspeshën mes dy skuadrave. Ndonëse Laçi ra fizikisht në pjesën e dytë të ndeshjes, falë lodhjes së dy takimeve me intensitet të lartë kundër Skënderbeut në javën e fundit, kurbinasit arritën të rezistonin deri në fundin e ndeshjes pa pësuar tjetër gol, për të marrë barazimin e tretë radhazi në kampionat. Një rezultat i tillë i mundëson gjithsesi të qëndrojnë mes ekipeve më të mira në Superiore dhe të pretendojnë për një vend në Europë në sezonin e ardhshëm.

Një skuadër që është transformuar brenda pak javësh nga një “ekip mbijetesë” në një “pretendente për Kupat e Europës” është Besa, që ka siguruar një tjetër rezultat të rëndësishëm duke mundur 2-0 Kukësin për t’u ngjitur në vendin e 5-të në klasifikim. Golat e Mustafës dhe Mancakut në secilën pjesë loje kanë qenë konkretizimi i një dominimi total përballë kuksianëve, të cilët duket se nuk kanë dalë plotësisht nga letargjia e tyre as nën drejtimin e Starovës. Një lojë pa ide dhe gabime të shumta edhe mes atyre lojtarëve që gjatë verës shkëlqyen në Europa League, tregon qartë se te verilindorët ka probleme, që mund të komplikojnë objektivin e mbetur të sezonit, pjesëmarrjen për të dytin edicion radhazi në Europa League.

 

Incidentet

Fyerjet në kor mes tifozerive të Bylisit dhe Tiranës kanë detyruar gjyqtarin Edvin Hoxha të ndërpresë për pak çaste ndeshjen
 

Kategoria Superiore

Java 19 / Rezultatet

Flamurtari-Laçi 1-1

45’+2’ Telushi / 23’ Vucaj

Besa-Kukësi     2-0

23’ Mustafa, 82’ Mancaku

Bylis-Tirana    0-1

72’ Ndikumana

Të shtunën

Kastrioti-Vllaznia   3-2

13’ Doku, 17’ Bratiç, 52’ Popoviç / 36’ Bushiç, 47’ Tafili

Partizani-Lushnja    2-0

2’, 11’ Memelli

Sot

Teuta-Skënderbeu

 
Renditja

Skuadra    Nd.  P.

Skënderbeu 18   37

Partizani  19   30

Teuta 18   28

Laçi 19   28

Besa 19   28

Kukësi     19   27

Flamurtari 19   26

Bylis 19   23

Vllaznia   19   22

Kastrioti  19   21

Tirana     19   19

Lushnja    19   19