e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Liga e Europes, nis rrugetimi i klubeve te Shqiperise

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Liga e Europes, nis rrugetimi i klubeve te Shqiperise

Kukësi, Flamurtari dhe Laçi janë tre ekipet që do të zhvillojnë ndeshjet e para në kuadër të Kupa të Europës dhe konkretisht në Europa Ligë. Kukësi është skuadra e parë shqiptare që ka zbritur në fushën e lojës dhe pas 40 minutave mbetet 0-0 kur po ndeshet në Kazakistan me Kairat Almatin. Ndonëse drejtuesit e klubit verilindor kishin të tjera preferenca, shorti i përballi me një të panjohur të madhe, siç është ekipi nga Kazakistani.

Kukësi, skuadra shqiptare që sezonin e kaluar arriti të bëjë historinë duke kaluar tre ture në Kupat e Europës, kërkon që të vijojë ecurinë, por përballë ka një ekip pak të njohur në arenën europiane.
Një gjë të tillë e theksoi edhe trajneri i nënkampionëve, Agim Canaj, në konferencën për shtyp që u zhvillua një ditë më parë në Almati. “Nuk do dëshironim të na binte si kundërshtar që në turin e parë klubi kazakistanas, Kairat. Nuk e njohim skuadrën kazake dhe vetëm disa video të ndeshjeve të fundit që ka zhvilluar, janë e vetmja njohuri që kemi për kundërshtarin.

Një skuadër si Kairati, që është në vijim të kampionatit, na e bën punën më të vështirë, por Kukësi edhe edicionin e kaluar ia doli, pavarësisht rivalëve të fortë që kishte. Mendoj se ka ngjashmëri mes dy skuadrave, sepse jemi të dyja të vendit të dytë,” – është shprehur Canaj. Skuadra e dytë që do të zbresë në fushën e blertë është Flamurtari, që në Gjeorgji do të luajë kundër Sioni Bolnisit (19:00).

Klubet shqiptare kanë krijuar një traditë në përballjet me skuadrat gjeorgjiane, por Sioni Bolnisi është një risi. Kapiteni Franc Veliu parashikon një përballje delikate për fituesen e Kupës së Shqipërisë në sezonin që sapo u mbyll. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Natyrisht që nuk kemi shumë njohje për kundërshtarin. Por unë pohoj se ne i kemi shanset për ta kaluar turin e parë. Vërtet që Sioni është një ekip me kualitete dhe me lojtarë me cilësi, por edhe ne kemi shumë lojtarë të mirë dhe me eksperiencë. Unë e shikoj të kalueshëm këtë tur, me pak punë dhe vëmendje, do të arrijmë ta kalojmë me sukses.”

Në fund radha i takon Laçit. Kurbinasit u kualifikuan si skuadra e tretë në renditjen e Kategorisë Superiore. Përballë do të jenë sllovenët e NK Rudar Velenjes, ndërsa trajneri Stavri Nica shpreh besimin e tij në lidhje me ndeshjen që fillon në orën 20:00.

“Luajmë në transfertë ndaj një ekipi cilësor si Rudar që deri para hedhjes së shortit ishte një skuadër e panjohur për ne. Kam parë ndeshje të sllovenëve dhe them se kemi të bëjmë me një ekip të mirë, me lojtarë profesionistë që zbatojnë me rigorozitet detyrat e dhëna. Është ky profesionalizëm që na diferencon ne klubeve shqiptare me ekipet sllovene e ato ballkanike. Ata luajnë taktikisht mjaft mirë, si me top, ashtu edhe pa top dhe ky është një element që krijon diferenca, ndërsa sa i takon nivelit të lojtarëve nuk ka diferenca. Ne do të mundohemi të marrim një rezultat të mirë që gjithçka të vendoset më pas në fushën tonë,” përfundon trajneri Stavri Nica.