e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cafu: Brazil, mjaft qave!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cafu: Brazil, mjaft qave!

Ish-kapiteni i Brazilit, Marcos Evangelista de Moraes, i njohur si Cafu, bëri një analizë të ngjashme me atë të Fabio Cannavaros duke thënë që lojtarët brazilianë nuk duhet të qajnë, por të luajnë futboll duke sakrifikuar në fushën e lojës.

“Mund ta justifikoj të qarën e Julio Cesar pasi ka kaluar momente të vështira, por mendoj se duhet lënë mënjanë e qara dhe të luhet futboll. Futbollistët duhet të hyjnë në fushë gati për të “kafshuar” dhe jo për të qarë. Seleçao duhet të jetë e bindur në atë që bën dhe kundërshtarët duhet ta kenë frikë”, tha lojtari që ka luajtur tre finale Botërori radhazi dhe që ka fituar 2 prej tyre.

Ish-lojtari i Milanit shtoi se trajneri Scolari nuk duhet të lejojë që lojtarët e tij të derdhin lot sërish: “Nuk jep imazh të mirë kur lojtarët qajnë. Trajneri duhet të punojë me secilin prej tyre në mënyrë që kjo gjë të mos përsëritet sërish. Por, Brazilit i mungon cilësia dhe për këtë arsye flitet pë tema të tjera.”

“Brazili, skuadër qaramanësh”

Fabio Cannavaro kapiteni i Italisë në vitin 2006 kur “axurrët” fituan Botërorin në Gjermani, ka deklaruar në një intervistë për gazetën spanjolle ‘AS’ se kurrë nuk ka parë një skuadër të qajë kaq shumë sa Brazili.

Kur u pyet se si e shihte Argjentinën dhe Brazilin, ish-mbrojtësi i Juventusit tha: “Argjentina ka grumbulluar shumë sulmues, por është Messi ai që zgjidh gjithçka. Vetëm Messi. Përsa i përket Brazilit, nuk më ka pëlqyer deri tani. Kurrë nuk kam parë një skuadër të qajë kaq shumë.”

Cannavaro i referohet emocioneve të mëdha që kanë shfaqur sidomos Neymar dhe Julio Cesar, të cilët kanë derdhur shumë lot gjatë këndimit të himnit kombëtar para ndeshjeve dhe gjithashtu në intervistat pas tyre.

Ish-kapiteni i Italisë vazhdon kështu analizën  e tij: “Brazili ka presion, por edhe të tjerët kanë presion dhe nuk i kam parë të qajnë kaq shumë. Qajnë kur fitojnë dhe nuk e di çfarë do të bëjnë nëse humbin. Do të vrasin veten? Jam i bindur se nëse Brazili do të luajë me Argjentinën në finale, brazilianët do hyjnë në fushë shumë të frikësuar.”