e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lev zbardh planin: Ja si do te jete Gjermania

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lev zbardh planin: Ja si do te jete Gjermania
Joakim Lëv është trajneri i 10-të në historinë e Kombëtares gjermane. Me rezultatet e tij cilësohet si tekniku më efikas, por në 6 vitet e tij nuk ka fituar ende asnjë trofe ndërkombëtar. Rezultati më i mirë është nënkampion Evrope në vitin 2008. Në prag të startit të Evropianit të 14-të, 52-vjeçari gjerman ka zyrtarizuar 23 “ambasadorët” e tij për në Ukrainë-Poloni 2012-të. Teksa humbën 5-3 ndaj Zvicrës, “pancerat” do zhvillojnë miqësoren e fundit kundër Izraelit në Lajpcik dhe, gjatë një interviste për “eurosport.de” Joakim Lëv i bën skanerin skuadrës duke shpalosur qëllimet e tij, si dhe analizon skemën dhe gjendjet e lojtarëve.

Testi kundër Izraelit “Kjo miqësore do të jetë sërish një test për ne. Java tjetër do ketë një rëndësi të madhe për ne në Poloni. Atje do stërvitemi intesivisht nga e hëna deri të premten. Prej atje do të dalim në konkluzione edhe para sfidës kundër Portugalisë. Para se të shkojmë, do ishte mirë një rezultat pozitiv kundër Izraelit. Euforia do ritet shumë dy ditë para Portugalisë”.

Mesfusha defensive “Në mesfushë planifikoj tre lojtarë qendre tepër të fortë, të cilët kanë potencial të lartë si në difensivë dhe ofensivë. Nuk mund të them që do të bëjmë si para 2 apo 4 vitesh, që të luajmë me dy mesfushorë defensivë. Dua variabilitet në skuadër dhe me këtë grup kam gjithçka. Shvajnshtaiger dhe Khedira kanë treguar nivel të lart, por në difensivë mund të luajë si Gëce dhe Kros.

Mbrojtja “Të enjten ndaj Izraelit Lahm do luajë në të majtë, sepse dua ta provoj. Por kjo s’do të thotë se ai do luajë në atë pozicion ndaj Portugalisë. Javën e ardhshme do vendosim për të. Alternativë kemi dhe Shmelcerin. Në të djathtë më i mundshmi më duket Boateng, por armë të fortë kemi dhe Hëvedesin. Ndërsa tre të tjerët (Badshtuber, Humels dhe Mertesaker) në qendërmbrojtje kombinohen shumë mirë me njëritjetrin”. Jam optimist edhe për sulmin. Klose ka nevojë për kohë. Ai luan në shtëpi dhe motivimi është i madh, ndërsa Gomez duhet të ushtrohet edhe më shumë për të mësuar më mire funksionimin e filozofisë sonë.

Skuadra në përgjithësi “Dua të theksoj se, përveç formacionit, do kemi dhe stol të fortë, që për mua nuk do të kenë ndonjë diferencë të madhe. Në pozicionet kyçe kemi nga dy lojtarë të fortë dhe duam që të nxjerrim në pah më të mirën tonë. Edhe të rinjtë si Gyndogan dhe Lars Bender kanë potencial të lartë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i zbatojmë me përpikëri skemat dhe filozofinë tonë. Kemi mall dhe nostalgji për një trofe dhe kam një parandjenjë pozitive këtë vit, prandaj nga Gjermania askush të mos presë surpriza”, – përfundoi trajneri Joakim Lëv, i cili planifikon të vejë në zbatim skema të ndryshme si 4-1- 4-1, 4-2-3-1 si dhe 4-4-1-1.

Trajneri synon fitoren e 53-të

Joakim Lëv do zhvillojë ndeshjen e tij të 78-të si trajner i Kombëtares gjermane. Në gjashtë vite karrierë me “pancerat”, ai ka fituar 52 ndeshje, barazuar 13 herë dhe ka humbur 12 prej tyre. Ndërsa në 77 ndeshjet e fundit Lëv ka nominuar 77 lojtarë, 52 prej të cilëve kanë debutuar me fanellën e kombëtares. Në ndeshjen e fundit kundër Zvicrës, debutantë kanë qenë portieri Ter Stegen dhe Draksler, të cilët nuk u nominuan për “Euro 2012″-ën.