e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lev: Do te jete krejt ndryshe ndaj Holandes

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lev: Do te jete krejt ndryshe ndaj Holandes
Joakhim Lëv ka mbrojtur zgjedhjet e bëra prej tij në prag të ndeshjes me Holandën. Në qendër të diskutimeve ka qenë lënia në stol e Miroslav Kloses dhe aktivizimi i Mario Gomezit, në repartin e sulmit, ashtu sikurse përfshirja në 11-shen anti-Portigali të Mats Humels në vend të mbrojtësit të Arsenalit, Per Mertesaker. Një formacion që nuk shfaqi e përmbushi pritshmëritë e gjermanëve, rrezikoi shumë ndaj luzitanëve, derisa erdhi ai gol i Gomezit, që bëri të mundur një fund të lumtur për të besuarit e Joakhim Lëvit.

“Një trajner nuk është idiot, – tha ai, duke iu referuar një fjalimi të mbajtur dikur nga Xhiovani Trapatoni. – Unë nuk e kam thyer hierarkinë. Klose dhe Martesaker janë lojtarë të rëndësishëm, por edhe të rinjtë mund të vijnë e të japin kontributin e tyre në një kompeticion kaq të rëndësishëm.”

Gjermania do të përballet me një tjetër test të fortë në ndeshjen e ardhshme, duke u vënë përballë Holandës, e cila do të vijë tepër e karikuar pas humbjes në ndeshjen e parë me Danimarkën.

Lëv beson se skuadra e tij mund të tregojë një performancë më të mirë të përgjithshme në sidën e dytë të finaleve “Euro 2012”, por pret që Holanda të jetë shumë e vendosur në kërkim të suksesit, për shkak se pozicioni i tyre në grup është ndërlikuar.  “Ne kemi hapësirë ​​për t’u përmirësuar, por ajo që ishte e rëndësishme ndaj Portugalisë, por edhe në vijim, ka të bëjë me marrjen e tri pikëve.

Vështirësia e ndeshjes së radhe është edhe më e madhe. Është gjithçka, ose asgjë për Hollandën. Ata duhet të fitojnë ndaj nesh për të qëndruar në turne. Ne e kemi fituar sfidën e parë dhe jemi disi më të relaksuar në këtë drejtim. Kam mbetur i kënaqur me ndeshjen e parë, por kjo ndaj Holandës do të jetë një lojë krejt ndryshe. Jam i sigurtë se të dyja ekipet do të veprojnë ndryshe. Portugalia ishte e fokusuar më shumë në mbrojtje, Holanda do të jetë më ofensive, kështu që edhe Gjermania do të bëjë llogaritë e veta,” – përfundoi ai.