Lestëri përgatitet për titullin më 24 prill
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lestër Siti mund të kurorëzohet kampione e Anglisë ashtu siç Sër Aleks Ferguson e ka parashikuar, tri javë përpara fundit të kampionatit.
Statistikat i japin të drejtë parashikimit të ish-menaxherit të Mançester Junajtid: në rast se "dhelprat" do të përsëritin rezultatet e fazës së parë ndaj rivaleve të ardhshme, atëherë ata nuk do të presin javën e fundit për ta ngritur trofeun për herë të parë në historinë e klubit.
Skuadra e Klaudio Ranierit kryeson pas 31 javëve 5 pikë e shkëputur përpara Totenhemit. Arsenali dhe Mançester Siti kanë një ndeshje më shumë në dispozicion se dy vendet e para, por ato renditen respektivisht 11 dhe 15 pikë pas kreut.
Kjo do të thotë se ndeshja në "King Power Stadim" përballë Suonsit të dielën e 24 prillit mund të jetë një moment historik për ta. Ndeshja e tyre e radhës do të jetë Sauthemptoni, e pasuar nga sfida me Sandërlendin dhe ajo me Uest Hemin.
Në fazën e parë, Lestëri u ka marrë 7 pikë këtyre tri rivaleve. Dhe përsëritja e këtij rezultati do t'i dërgonte ata në kuotën e 73 pikëve me 4 ndeshje deri në fund. Ndërsa Totenhemi ka arritur vetëm dy barazime dhe një humbje ndaj tre kundërshtarëve të radhës, Liverpulit, Mançester Junajtid dhe Stok Sitit.
Policia merr masa - Policia e Lestërshajërit ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen e skuadrës në Champions sezonin e ardhshëm. "Ne nuk duam të bëjmë tersin, por nëse gjërat shkojnë kështu siç po shkojnë, atëherë Championsi nuk është aspak larg.
Dhe duke qenë se ne nuk përgatisim një ndeshje në Europë që prej vitit 2000 (Kupa UEFA), atëherë duhet të jemi të përgatitur", deklaroi Fill Kej, një nga shefat e policisë.
Mungesa e përvojës - Lestër Siti do të ndriçonte karrierat e shumë futbollistëve me titullin e parë kampion në palmaresin modest të klubit: në një speciale të "SportsMail", ata janë skuadra e fundit në "top 6", së bashku me Totenhemin, lojtarët e së cilës kanë fituar një titull kampion gjatë karrierës së tyre, duke u përfaqësuar vetëm nga 4 të tillë:
Robert Huth - Premier Ligë 05, 06 (Çelsi), Leonardo Ulloa - Primera Divizioni Argjentinas 07 (San Lorenco); Marsin Vasilevski - Pro Liga Belge 10, 12, 13 (Anderleht);
Gokhan Inler - Superliga Zvicerane 06, 07 (Cyrih). Por as Totenhemi nuk ka më tepër lojtarë me medalje kampioni: Aldervaireld, Vertongen, Dembele dhe Eriksen. Rekordin e lojtarëve më të titulluar e mban Mançester Siti me 18 futbollistë kampionë, i ndjekur nga Mançester Junajtid me 13, Arsenali dhe me 10 dhe Uest Hemi me 6.