e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Leo Mesi ringjallet, Barca ben 'poker'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Leo Mesi ringjallet, Barca ben 'poker'

Në javën e 23-të u takuan përsëri. Kampionati spanjoll i këtij edicioni sa vjen dhe po bëhet edhe më interesant, pasi Barça e kryeson me pikë të barabarta me dy skuadrat e kryeqytetit. Ekipi i “Tata” Martinos ka bërë për vetë dje tri pikë falë Mesit, i cili shënoi dy herë dhe dhuroi një asist. Meritë për këtë triumf të miqve kishte edhe vijërojtësi, i cili nuk e ngriti flamurin pas golit të parë të miqve, që u shënua nga Sançez që ishte në pozicion të parregullt.


Katalanasit pa frymë - Në “Ramon Sançez Pizhuan” Barcelona bëri një tjetër start “fals”. Në minutat e para të lojës Sevilja ia doli të ambientohej më mirë me kushtet e fushës, që ishte e mbytur nga reshjet e shiut, duke kaluar menjëherë në avantazh me anë të Alberto Morenos. Në minutën e 15-të, falë devijimit të Bartras, mposhti Valdesin, edhe pse e goditi topin në hyrje të zonës. Pesë minuta më pas andaluzianët rrezikuan sërish. Kësaj here ishte shtylla ajo që e shpëtoi Barçën nga “kapitullimi”: Baka përfitoi mjaft mirë nga gabimet e mbrojtësve blaugranë, duke e goditur me kokë topin. Një tjetër aksion i bukur i vendësve ishte edhe ai i minutës së 30-të, kur Rakitiç shpërdoroi gjithçka duke tentuar një goditje nga jashtë zone. Në momentin më të mirë të vendësve goditën miqtë. Të ndihmuar nga një gabim fatal i arbitrit anësor, djemtë e Martinos gjetën barazimin me anë të Sançezit, që dukshëm në pozicion jashtë loje ktheu në gol një asist të Mesit.


Rikthimi i Mesit - Me golin e shënuar, katalanasit u qetësuan dhe morën frenat e lojës në dorë. Një minutë para se të përfundonte pjesa e parë, Mesi, falë një kundërsulmi të frikshëm, gjeti golin e parë në aksion për 2014. Në fraksionin e dytë mbrojtja e Barçës mendon sërish t’u bëjë dhurata vendësve, duke u dhënë mundësinë Vitolos dhe Gameros që të shënojnë. Por dy të fundit nuk janë të saktë. Pas këtyre episodeve mendon sërish Mesi për të mbyllur lojën, kur pas një asisti të Iniestës godet mjaft mirë me të majtën sferën, e cila pushon në rrjetë në minutën e 55-të. Pjesa e mbetur e lojës edhe pse u luajt me ritme të larta, dhuroi vetëm një gol. “Perlën” e radhës e realizoi Çesk Fabregas. Me një parabolë të bukur, ai mposhti portierin e andaluzianëve Beto, të cilit në minutën e 88- të iu desh të nxirrte edhe një herë topin nga porta e tij.


“Duke e kritikuar Mesi jep maksimumin”


“Kur e kritikojnë, Mesi ndihet i prekur në sedër dhe më pas ai detyrohet që t’u shkaktojë vuajtje rivalëve të vet. Një gjë të tillë mund të them për ndeshjen e sotme (dje). Mesi do të jetë gjithmonë deciziv”. Gerardo Martino ka vetëm fjalë të mira për asin argjentinas, i cili edhe një herë i nxori nga gjendja kritike balugranët. Pas ndeshjes së mbrëmshme, Martino pohoi se nuk kishte bërë asnjë plan për të ardhmen me drejtuesit balugran.


“Përfituam nga gabimet e rivalëve”


Për Andres Iniestën, kjo ishte një fitore mjaft e rëndësishme, duke qenë se erdhi pas hapit fals të Atletiko Madridit. “Them se ja dolëm që t’i merrnim 3 pikët, të cilat na dhanë sërish kreun”, u shpreh fantazisti. Ndër të tjera, numri 8 i Barçës i thuri elozhe edhe Mesit: “Është i vetmi lojtar që e vendos ndeshjen brenda pak minuta. Për momentin, asnjë ekip në botë nuk ka një futbollist si Leo”.