Goli i Mehes shokon te 48 mije shikuesit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Alban Meha ka rezultuar sërish deciziv te skuadra e tij Paderborn në Bundesligën e Dytë në Gjermani, pasi ka shënuar një supergol nga goditja e dënimit. Në fakt, gjuajtje të tilla janë të zakonta për mesfushorin kuqezi, aq sa duket sikur ai nuk di të shënojë në mënyrë tjetër, veçse gola spektakolarë. Të njëjtën gjë bëri në ndeshjen e 18 tetorit 2013 në fitoren 4-2 ndaj FSV Frankfurtit. Po ashtu edhe në humbjen 3-2 të Paderbornit në fushën e Sandhauzenit më 22 nëntor 2013, ndërsa mbeten ende në memorie dopieta fantastike e 8 dhjetorit 2013 në fushën e Alen (2-4), ku Meha realizoi dy gola nga pozicione gati të paimagjinueshme. Edhe dje mesfushori i Kombëtares shqiptare tregoi gjithë klasin e tij, teksa realizoi në minutën e 47- të të ndeshjes një gol nga goditja e dënimit në përballjen në transfertë ndaj kryesuesve të kampionatit, Këlnit.
Goli - Pas një pjese të parë të dominuar kryesisht nga vendësit, kjo edhe për shkak se kanë një skuadër disi më cilësore, por edhe se luanin në fushën e tyre, dy minuta nga fraksioni i dytë i lojës vjen perla e Mehës. Goditje dënimi në hyrje të zonës në të majtë të sulmit të Paderbornit, Meha gjuan me të djathtën, topi preket paksa edhe nga mesfushori vendës, Halfar, i cili komplikon gjithçka, pasi portieri Timo Horn u mundua ta grushtonte, por topi përfundoi gati në trekëndësh. “Nuk kisha si qëllim që ta gjuaja në atë mënyrë. Po mendoja që të kaloja murin dhe ta ulja topin në shtyllën e parë, por gjuajtja u devijua paksa dhe mori një trajektore të pakapshme për portierin. Jam shumë i kënaqur që arritëm fitore. Më shumë kjo fitore më ka gëzuar që arrita ta shënoja unë golin e fitores para rreth 48 mijë shikuesve. Të mposhtësh liderin e kampionatit është gjithnjë kënaqësi”, – tha Meha në fund të ndeshjes për mediat.
Renditja - Pas kësaj fitoreje, Paderborni renditet në vend të 7-të me 32 pikë (nëntë fitore, pesë barazime dhe gjashtë humbje), shtatë më pak sesa Këlni, skuadër që vijon ende të ruajë kryesimin, pavarësisht humbjes që pësoi dje pikërisht nga këmba e Mehës. “Gjuajtjet e lira i gjuaj unë te Paderborni, sepse i kam specialitet. Fitorja ishte e merituar, edhe pse ishte një ndeshje e vështirë për ne. Më duket që kjo ishte humbja e parë këtë sezon në shtëpi për Këlnin. Kjo fitore na ka motivuar shumë për ndeshjet e ardhshme”, – vijoi mesfushori. Për Mehën ky ishte goli i pestë në 12 ndeshje në këtë edicion të kategorisë së dytë gjermane. Ai ka kontribuar edhe me tri asistime. “Duhet të luajmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme. Ngritja në Bundesligë është e vështirë, por jo edhe krejt e pamundur. Jemi klub i vogël, por i koordinuar mirë”, – përfundoi Meha.
“Flas me De Biazin, do jem titullar”
Alban Meha ftohet rregullisht në Kombëtaren e Shqipërisë. Paraqitjet e tij janë vlerësuar lart nga trajneri Xhani de Biazi. “Kam biseduar rregullisht me De Biazin. Ai është i kënaqur me paraqitjet e mia. Unë pres që të jem titullar në Kombëtare. Shpresoj të arrijmë gjëra të mëdha. Duhet të vazhdoj me lojëra të mira në Paderborn, kjo është e rëndësishme”, – ka thënë Meha. Lojtari ka munguar në tetë ndeshjet e para të këtij edicioni për shkak të një dëmtimi në maj të 2013- ës, i cili e la edhe larg ekipit tonë përfaqësues.