e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lenjani: Tramexani ma shkroi në dorë golin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lenjani: Tramexani ma shkroi në dorë golin

Me golin e shënuar ndaj Austrisë, Ermir Lenjani bëri të lumtur shqiptarët dhe u dha shpresë për një barazim të mundshëm të rezultatit. Por më i lumturi në ato momente duhet të ketë qenë Paolo Tramexani, ndihmësi i Xhani De Biazit, i cili e kishte parashikuar golin e Lenjanit. lenjaniLajmin interesant e zbulon vetë futbollisti i Kombëtares shqiptare, i cili në një prononcim për "Telegraf"-in tregon atë që kishte ndodhur disa orë përpara se të fillonte ndeshja.

"Ishim në ashensor me disa lojtarë të tjerë. Bashkë me ne ishte dhe Paolo. Duke zbritur për në hollin e hotelit, ai mori dorën time dhe ka shkruar gol. Ai më tha se do të shënoja dhe në fundin e ndeshjes ia tregova dorën, ku kisha të shkruar ende fjalën gol. Ai më tha se e dinte diçka të tillë dhe më uroi për golin e shënuar", thotë Lenjani. Në prononcimin e tij futbollisti me origjinë nga Kamenica analizon edhe humbjen ndaj austriakëve.

"Ishte një ndeshje me dy fytyra. Në pjesën e parë nuk ishim vetvetja dhe gabuam shumë, por në të dytën treguam se kush jemi në të vërtetë duke bërë një ndeshje shumë të mirë", theksoi numri 3 i kuqezinjve. Lenjani ka treguar emocionet e golit të shënuar, por edhe zhgënjimin e rezultatit.

"Jam i lumtur për golin, sepse bëra të lumtur shumë tifozë të pranishëm në stadium, por do të isha më shumë i kënaqur nëse do të merrnim një rezultat pozitiv. Të shënosh me fanellën e Shqipërisë është diçka e jashtëzakonshme dhe jam me fat që e kam përjetuar diçka të tillë", vazhdoi më tej mesfushori kuqezi. Ai foli edhe për miqësoren e nesërme kundër Luksemburgut duke thënë se do të synojnë fitoren.

"Ndaj Luksemburgut do të jetë një ndeshje tjetër nga ajo që u zhvillua me Austrinë, pasi ishim dy skuadra të Europianit. Tani do të synojmë të marrim rezultat pozitiv", përfundoi Lenjani.