Kombëtarja ngec në aeroport, FSHF padit kompaninë ajrore
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kombëtarja humb avionin për të sh kuar drejt Luksemburgut dhe detyrohet të zgjasë me 24 orë qëndrimin në Vjenë.
Një situatë e pazakontë ka ndodhur dje me kuqezinjtë në aeroportin e kryeqytetit austriak.
Në orën 15:00 ishte parashikuar nisja drejt Luksemburgut, por nuk bëhej fjalë për një udhëtim me avion çarter, pasi ishte zgjedhur linja e zakonshme.
Skuadra ka mbërritur 90 minuta para orarit të nisjes në aeroport, por që duhet të ishte aty më parë. Nisur nga ngjarjet e rënda të javëve të fundit, në aeroportin e Vjenës janë shtuar masat e sigurisë dhe vonesat janë të pashmangshme.
Burime të "Panorama Sport" pranë Kombëtares tregojnë se ka pasur një amulli me axhendën dhe gjithçka ka nisur që nga stërvitja e paradites në një prej komplekseve stërvitore të Vjenës. Edhe seanca ka nisur me vonesë dhe pas përfundimit të saj, derisa lojtarët të bëheshin gati për të shkuar drejt aeroportit, një situatë e pakëndshme është hasur edhe në udhëtim. Autobusi që përcolli ekipin u ndesh me një trafik të rënduar në rrugët e Vjenës dhe, më pas, kuqezinjtë u detyruan të prisnin për minuta të tëra në radhë.
Shumica e lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit arritën të bënin "check-in", mirë- po në radhë mbetën të tjerë dhe ora shkoi 15:00. Duke qenë një linjë tranzitore, nuk mund të presë më shumë se 10 minuta nga orari i nisjes.
Ndryshe do të ishin gjërat nëse Kombëtarja do të kishte zgjedhur një avion çarter për udhëtimin, pasi pritja mund të shkonte edhe deri 1 orë, por duke pasur penalitete për kompaninë ajrore. Rregullat nuk mund të shkeleshin dhe pas disa paralajmërimeve nga fonia e aeroportit, avioni i linjës Vjenë-Luksemburg u nis në orarin e caktuar.
Kësisoj, edhe ata lojtarë që bënë "check-in" u kthyen mbrapsht. Të gjendur përpara një fakti të kryer për humbjen e avionit, situata u bë sa komike, po edhe aq dramatike.
Fillimisht u mendua të udhëtohej drejt Frankfurtit në orën 17:00 dhe më pas të shkohej me autobus direkt nga qyteti gjerman për në Luksemburg si destinacioni përfundimtar. Megjithatë, edhe ky variant ra poshtë, pasi lojtarëve do t'u duhej të qëndronin gjashtë orë mes udhëtimeve dhe pritjeve. Skuadra u rikthye në pasdite në hotelin ku prej tri ditësh është i akomoduar në kryeqytetin austriak. Vetëm sot kuqezinjtë do të nisen me çarter drejt Luksemburgut në orën 15:00.
Urdhri për lojtarët
Ka qenë e pamundur deri dje në mbrëmje që të merrje një reagim qoftë edhe zyrtar nga institucioni i futbollit për atë po ndodhte në aeroportin e Vjenës me Kombëtaren.
"Panorama Sport" tentoi të komunikonte edhe me vetë futbollistët, por çuditërisht këtyre të fundit u ishte komunikuar që të mos jepnin asnjë të dhënë për mediat në lidhje me amullinë që shoqëroi skuadrën për disa orë. FSHF sqaroi opinionin për atë që kishte ndodhur me një komunikatë pas orës 20:00.
KRONOLOGJIA E NGJARJES
Ora 10:00 - Kombëtarja stërvitet në një prej komplekseve sportive
të Vjenës për rreth 60 minuta.
11:30 - Skuadra rikthehet në hotel dhe lojtarët pushojnë.
12:30 - Futbollistët dhe stafi konsumojnë drekën në restorantin e
hotelit.
13:10 - Kombëtarja niset me autobus drejt aeroportit të Vjenës.
13:40 - Skuadra mbërrin me vonesë në aeroport për shkak të trafikut
të rënduar. Menjëherë lojtarët nisin të bëjnë "check-in".
14:30 - Kur mbeteshin edhe 30 minuta nga nisja e avionit, një pjesë
e lojtarëve nuk kishte bërë ende "check-in" si pasojë e radhëve të
gjata dhe kontrolleve të rrepta nga forcat e sigurisë së aeroportit.
14:40 - Delegacioni shqiptar njofton kompaninë ajrore për vonesat
në proces dhe kërkon mirëkuptim.
14:45 - Ende disa pjestarë të skuadrës nuk kishin kryer veprimet.
14:50 - Nga fonia e aeroportit u kërkohet emrave që nuk kishin bërë
"check-in" të paraqiten sa më shpejt.
14:55 - Pas disa paralajmërimeve, kompania ajrore vendos të ndërpres
veprimet dhe të bëj gati avionin për t'u nisur drejt Luksemburgut.
15:00 - FSHF vendos që edhe pjesa tjetër e skuadrës, e cila kishte
kryer veprimet, të mos hipte në këtë avion.
15:05 - Përfundimisht Kombëtarja humbet avionin, që niset me destinacion
Luksemburgut.
15:10 - Lojtarët dhe stafi kuqezi presin të njoftohen nëse do të
udhëtojnë ose jo.
15:15 - Drejtuesit e FSHF-së mendojnë si zgjidhje alternative
udhëtimin drejt Frankfurtit në orën 17:00 dhe më pas të shkohet me
autobus direkt nga qyteti gjerman për në Luksemburg.
15:30 - Biletat ishin të limituara dhe ky variant bie poshtë.
16:00 - FSHF vendos të rikthej skuadrën në hotel. Prenotohet edhe
për një ditë vendi i akomodimit, si dhe kërkohet një autobus për
transportin e ekipit.
16:30 - Skuadra e gjen sërish veten në hotel. Stafi u komunikon
lojtarëve se do të kryejnë stërvitjen e radhës të nesërmen (sotmen)
në orën 10:00.
17:00 - FSHF prenton një avion çarter dhe fikson si orar për udhëtimin
drejt Luksemburgut ditën e sotme në orën 15:00.
FSHF: Kompania ajrore na pengoi, do ta padisim
Në mbrëmjen e djeshme, institu cioni i futbollit shqiptar doli me një komunikatë për shtyp rreth ngjarjes së pakëndshme me Kombëtaren.
FSHF ia faturoi kompanisë "Lux Air" këtë incident, duke e kërcënuar me padi. Sipas federatës, ekipi u paraqit në aeroportin e Vjenës 1 orë e gjysmë përpara fluturimit, ndërsa akuzohet kompania se ndërpreu veprimet në mënyrë të njëanshme.
"Kombëtarja e Shqipërisë kishte programuar për t'u nisur sot (dje) nga Vjena për në Luksemburg, por nuk ka arritur të udhëtojë drejt destinacionit të saj. Skuadra është penguar nga procedurat e kompanisë 'Lux Air', e cila operon për këto udhëtime me kompaninë 'Austrian Airlines'.
Pas zhvillimit të stërvitjes së planifikuar në orën 10:00 dhe konsumimit të drekës, ekipi u paraqit në aeroportin e Vjenës, 1 orë e gjysmë përpara fluturimit. Avioni i kompanisë 'Lux Air' duhej që të nisej në orën 15:00.
Por, pasi ishte kryer procesi i prerjes së biletave për pjesën më të madhe të ekipit e delegacionit dhe kur kishin mbetur vetëm 3 persona pa u pajisur me biletë, punonjësit e kësaj kompanie kanë ndërprerë veprimet në mënyrë të njëanshme, duke mos pranuar që të prisnin biletat dhe të kryenin veprimet për pjesën tjetër të ekipit.
Pavarësisht këmbënguljes dhe protestave të vazhdueshme të përfaqësuesve të delegacionit shqiptar, punonjësit e kompanisë 'Lux Air' nuk pranuan të bashkëpunonin për ta zgjidhur këtë situatë dhe nuk lanë asnjë mundësi zgjidhjeje deri në fund.
Për këtë shkak u vendos që edhe pjesa tjetër e skuadrës, e cila kishte kryer veprimet, të mos hipte në këtë avion. Për të mos shkaktuar prishje të regjimit, Kombëtarja u kthye në hotel në kryeqytetin austriak. Sot paradite ajo do të zhvillojë seancën stërvitore si zakonisht dhe në orën 15:00 do të niset për në Luksemburg.
FSHF ka prenotuar për këtë udhëtim avion çarter, duke mos pranuar që të udhëtojë me avionin e kompanisë 'Lux Air', pas kësaj situate të krijuar prej tyre.
Pas kësaj ngjarjeje të paprecedentë, FSHF do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për dëmtimin moral dhe financiar të shkaktuar nga kompania ajrore. Jemi të vendosur që t'i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje", citohej dje në komunikatën e institucionit të futbollit për ngjarjen në aeroport.
Përgatiti: JORGIS MEMO