Jupi do fitore me Hungarinë, presim mbështetje nga tifozët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas barazimit pa gola ndaj Greqisë, Ko mbëtarja U-21 e Shqipërisë luan sot në "Elbasan Arena" ndeshjen e radhës kundër Hungarisë në orën 20:00.
Trajneri Redi Jupi beson te fitorja, ndërsa nuk ngurron t'u bëjë apel tifozëve për mbështetje.
"Ndeshjet në shtëpi janë gjithmonë të veçanta dhe kanë më tepër presion ndaj skuadrës. Jemi duke u përgatitur për të dalë sa më mirë në këtë takim. Kuptohet që çdo ndeshje ka specifikën e vet dhe ne kështu kemi vepruar, duke i marrë sipas radhës.
Sa i takon skuadrës kundërshtare, ajo meriton respekt, sepse përfaqëson një shkollë të njohur në Europë, që vitet e fundit po punon mjaft mirë, sidomos me moshat. Megjithatë, ekipi im gëzon një formë të mirë dhe atmosfera brenda grupit është optimiste. E kemi përgatitur mirë këtë ndeshje dhe shpresojmë të tregojmë vlerat tona, veçanërisht në pjesën ofensive, ku kemi edhe kualitete.
E rëndësishme është që edhe në këtë ndeshje skuadra të tregojë qëndrueshmëri dhe rritje në lojën e saj. Sa më të vëmendshëm dhe të kujdesshëm të tregohemi, aq më shumë i rrisim shanset tona për ta fituar takimin. Shpresoj të kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë, për të dhënë më të mirën në fushë", ka thënë dje Jupi për uebsajtin zyrtar të FSHF-së. Këtë herë trajneri shmangu konferencën për shtyp para ndeshjes.
Stërvitja
Ndryshe nga stërvitja e ndeshjes së kaluar, ku kuqezinjtë e rinj në program e kishin pas skuadrës së Greqisë, dje ishin të besuarit e Jupit ata që zbarkuan të parët në "Elbasan Arena". Duke përfituar nga ky fakt, 21-vjeçarët mbërritën dhjetë minuta para në stadium, për ta shfrytëzuar në favorin e tyre çdo minutë më tepër. Mirëpo, ajo që ra në sy ishte mosprezenca e tifozëve për të ndjekur nga afër ata që në të ardhmen mund të jenë në Kombëtaren A.
Kjo vjen edhe për faktin se përballë do të jetë një skuadër si Hungaria, kundërshtar që tifozët nuk e shohin si armik. Trajneri Jupi për rreth një orë mbrëmjen e djeshme dha udhëzimet e fundit për lojtarët që do të zbresin në fushë ndaj hungarezëve.
Në këtë seancë ra në sy mungesa e sulmuesit që luan në Angli, Emiljano Hysi, për shkak të një dëmtimi. Sot ai nuk do të jetë i gatshëm, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve vijoi normalisht stërvitjen mes batutave.
Atmosfera është vërtet e mirë te Shpresat dhe kjo u pa edhe te dëshira e lojtarëve për të mos e lënë fushën e blertë, pasi në momentin që skuadra hungareze mbërriti në stadium dhe do merrte në dorë për një orë "Elbasan Arena"-n, një pjesë e kuqezinjve vijonin me goditjet drejt portës. U desh sinjalizimi i Jupit dhe urdhri i tij bëri që të lironin fushën.
Një tifoz me batutë pëshpëriti: "Shpresojmë që edhe nesër (sot) të kenë të njëjtën dëshirë për të goditur portën". Pas largimit të tyre, në fushë doli skuadra hungareze që vijoi stërvitjen dhe njohjen me terrenin për një orë.
Përgatiti: VLADIMIR MEMA