Lena: Shënoj unë dhe marrim 3 pikë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
"Djemtë e detit", para sfidës me Vllazninë, zhvilluan një seancë stërvitore për rreth dy orë. Magani dhe ndihmësit e tij u fokusuan te kontrolli i topit nga lojtarët e tyre.
Skuadra zhvilloi një mini-ndeshje, ku nga njëra anë kanë qenë titullarët që pritet të hidhen në fushë dhe pjesa tjetër e ekipit ka formuar 11-shen e dytë.
Mesfushori - Teuta e ka nisur fazën e katërt me një barazim në shtëpi me Flamurtarin. Në një prononcim për "Panorama Sport" mesfushori Nijaz Lena flet për startimin e fazës së fundit të kampionatit, si dhe për pritshmëritë që ka ndaj vetes dhe ekipit.
"E kemi nisur me një barazim ndaj Flamurtarit, në një sfidë mjaft të luftuar, edhe pse ishim përgatitur për ta fituar. Tani ajo ndeshje ka ikur dhe sot duhet të japim maksimumin tonë në përballjen që kemi me shkodranët.
E dimë që do të jetë ndeshje shumë e vështirë, pasi Vllaznia ka një ekip cilë- sor dhe me ardhjen e Cungut gjërat kanë ndryshuar shumë. Tashmë ky ekip ka grintë dhe shpirt gare, prandaj duhet të japim 200% që të mos gabojmë dhe të dalim me pikë nga Shkodra.
Një humbje do të na i komplikonte llogaritë për objektivin tonë, ndaj unë dhe shokët e ekipit duhet të vrapojmë, luftojmë dhe të luajmë me mend. Ka dhe shtatë ndeshje pas Vllaznisë dhe duhet të kemi ecuri pozitive, sidomos në përballjet direkte që të mund të rikuperojmë ndaj rivalëve", deklaron Lena.
Ish-lojtari i Flamurtarit flet dhe për golin e munguar, ku shprehet se për të ka rëndësi fitorja e ekipit. "Goli është kënaqësi më vete për të gjithë lojtarët, por për një profesionist rëndësi ka ecuria pozitive e ekipit. Unë, edhe kur luaja për Flamurtarin, i kam dhënë rëndësi fitores së ekipit duke asistuar për shokët. Shpresoj që në ndeshjen e sotme të vijë dhe goli, pse jo, që t'i jap ekipit tri pikët", ka përfunduar Lena.
Lojtari në provë - Shpat Ismaili është një mesfushor i ri në moshë që u është bashkuar "djemve të detit" në stërvitje prej pak ditësh. Ai ka qenë pjesë e akademisë së Reading, por ka luajtur dhe me ekipin e QPR të moshave deri me U-21. Stafi teknik ka pritshmëri të lartë nga djaloshi 20- vjeçar.