e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Laze: Nuk po shes dot aksionet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laze: Nuk po shes dot aksionet

Një prej atyre që po vuan shumë nga gjendja e Elbasanit të këtij sezoni është presidenti i klubit, Arben Laze.

lazeEdhe pse i ka nxjerrë në shitje aksionet, për momentin nuk është afruar asnjë investitor serioz. Në një prononcim për "Panorama Sport", Laze flet rreth kësaj çështjeje, ku shpreson që të zgjidhen të gjitha ngërçet.

Sipas tij, klubit duhet t'i qëndrojnë të gjithë pranë në këto momente, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe moralisht.

"Asnjë nuk e ka dëshiruar që ne të jemi në këto pozita dhe të luftonim për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Personalisht, jam munduar t'i qëndroj gjithnjë pranë skuadrës dhe këtë gjë do ta bëj gjithnjë. Pranë ekipit nuk është e thënë të jesh vetëm në aspektin financiar, por edhe moralisht, ndaj të gjithë me mënyrën e tyre duhet të japin kontributin për skuadrën.

Ashtu si unë po mundohem me mundësitë e mia, bëj thirrje që edhe aksionerët e tjerë të japin përkrahjen e tyre, qoftë edhe moralisht, sepse skuadra është e gjithë qytetit", u shpreh fillimisht Arben Laze. Aksionet Më tej, presidenti Laze flet edhe për gjendjen e aksioneve në klub, ku vijojnë ende bisedimet me aksionerët e tjerë rreth kësaj çështjeje.

"Bisedimet në klub midis aksionerëve vijojnë dhe besoj se do dalim në një zgjidhje të përbashkët për të mirën e klubit. Për sa i përket shitjes së aksioneve, deri më tani nuk ka zhvillime të reja. Ka pasur interesim, por nuk kanë qenë oferta serioze. Gjithsesi, unë e kam thënë që jam i hapur për bashkëpunim me këdo", u shpreh Laze rreth kësaj çështjeje.

Prej disa kohësh, Laze ka nxjerrë në shitje aksionet që zotëron në klubin e Elbasanit, por kanë munguar ofertat serioze. Ndërkohë, skuadra ndodhet në vendin e fundit në Grupin B me vetëm 8 pikë të grumbulluara dhe rrezikon shumë qëndrimin në kategori. Aktualisht aksionet e Elbasanit janë të bllokuara. Kjo për shkak të borxheve që ka klubi. Një Zyrë Përmbarimore ka vendosur sekuestron ndaj kapitaleve të klubit verdheblu që prej tetorit të vitit të kaluar. Kjo situatë me financat ka bërë që edhe futbollistët të mos marrin rrogat prej katër muajsh. Ata kanë bojkotuar stërvitjen në dy raste në shenjë proteste.

Përgatiti: VLADIMIR MEMA