e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Laska: Shumë paragjykime, jam bërë gati të largohem

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laska: Shumë paragjykime, jam bërë gati të largohem

Pashk Laska ndihet tejet i bezdisur nga paragjykimet e vazhdueshme për Laçin. Megjithatë, pas një eksperience jo të vogël në Kategorinë Superiore, tashmë presidenti i klubit kurbinas mundohet t'i marrë me sportivitet akuzat që rivalët bëjnë pas ndeshjes.Laska dhe Nica ne stol gjate ndeshjes Tirana-Laci 2-0 Së fundmi, ishte trajneri i Partizanit, Andrea Agostineli, ai që paragjykoi sjelljen e Laçit në barazimin 0-0, në krahasim me ndeshjet e kaluara të kurbinasve.

"Kështu kanë thënë edhe ekipe të tjera, jo vetëm Partizani të shtunën. Ata janë të fundit që po e thonë këtë gjë. Kanë folur edhe mediat, por ka pesë vite gjë thuhen këto gjëra dhe ne kemi parë punën tonë duke mos u përgjigjur", ka thënë fillimisht Laska përmes telefonit dje gjatë një interviste për "Panorama Sport".

Zoti Laska, trajneri i Partizanit u ankua pas ndeshjes për Laçin, duke thënë se priste pak më shumë sportivitet. Si e keni pritur reagimin e klubit të kuq në përgjithësi?

Kështu thanë edhe kur erdhi Partizani këtu dhe e mundëm 3-0 për Kupë. Kështu u tha edhe atëherë. Më thoni, çfarë të bëj unë tani, të marr automatikun dhe të dal në rrugë...?

Gjithsesi, kjo ishte deklaratë e trajnerit...

Pse çfarë u kanë bërë në Laç, janë dhunuar a diçka tjetër? Këto nuk i dëgjoj shumë unë.

Nuk keni asnjë koment për dyshimet e Agostinelit?

Nuk di çfarë të them në këtë mes, pasi kur më ka paragjykuar edhe punëtori i fushës së Pukës apo i Fushë Arrësit, nuk di se me çfarë të merrem në këtë sport. Jam bërë gati ta lë dhe të iki me vrap. Ju të "Panoramës" keni pesë vite që flisni për mua. Keni pasur qejfin tuaj dhe të drejtën tuaj për të folur... Në fillim mërzitesha, por tani nuk e kam problem, u mësova me këto gjëra.

Si ndiheni kur skuadra juaj paragjykohet edhe kur merr rezultate pozitive?

Me thënë të drejtën, ndihem shumë mirë. Kënaqem, pasi për mirë nuk flasin, të paktën flasin për keq. Njëlloj është kjo punë. Njerëzit janë ata që vlerësojnë në fund. Më thoni, çfarë të bëj unë? Po iki unë e të vijë ndonjë tjetër dhe mbase nuk paragjykohet si unë...

Sa i përket ndeshjes së fundit, ka zëra se Laçi juaj i ka luajtur fort Partizanit për t'i bërë nder Skënderbeut... A ka lidhje në këtë mes kundërshtari juaj në Kupë?

Ashtu thanë edhe me Ballshin. I la Laçi se ata kanë për t'ia lënë Skënderbeut apo Partizanit... Nuk i jap kuptim se çfarë ndodh në Shqipëri. Ju që merreni me gazeta mund t'i kuptoni. Edhe para ndeshjes, tek emisioni "Gol pas goli" u tha "të shikojmë se si do të luhet kjo ndeshje, si do të shkojë, do të paragjykohet apo jo". Ndërsa pas ndeshjes u shprehën "si ka mundësi që Laçi luajti fort?!". Përsëri sillen te Laçi. Nuk e di se çfarë duhet të them në këtë situatë. Unë nuk mund t'i jap asnjë lloj shpjegimi, pasi nuk kam mundësi ta bëj një gjë të tillë.

Dakord pra, por kritikat për mungesë korrektësie këtë herë kanë ardhur nga trajneri i Partizanit, jo nga media...

Nuk kam asnjë hall që t'i kundërvihem trajnerit të Partizanit për atë që ka deklaruar pas ndeshjes. Çdo njeri ka të drejtën e vet të flasë apo të bëjë çfarë të dojë. Ai i di vetë punët e tij, çfarë më interesojnë mua punët e Partizanit? Nuk kam asnjë lloj replike me klubin e Partizanit. Trajneri i tyre e di vetë si justifikohet, e di vetë se çfarë thotë. Mbase do t'u hedhë hi syve atyre që ka përqark, duke u thënë se unë do ta fitoja ndeshjen, por nuk më la Pashku se nuk futi të rinjtë, por ekipin e plotë. Nuk e di se çfarë shpjegimi mund të jap unë për atë trajner. Në Laç iu ushtrua dhunë ndonjë njeriu? Kjo është përgjegjësia jonë. Të luhet futboll i pastër, pastaj se si del ndeshja nuk më intereson shumë. Mua më intereson ekipi im, kaq.

Besoj se jeni bezdisur nga këto gjëra?

Jo i bezdisur, por tejet i bezdisur. Të thuash thjesht i bezdisur më duket pak.

Dakord, po nuk u përgjigjët për ata që kanë dyshime si dhe lidhjen me korçarët në Kupë?

Po, po, aty bëhet komplet lidhja se na ra me Korçën dhe do të fitojmë Kupën... Po të mos na binte me Skënderbeun, atëherë, sipas këtyre fjalëve, ne duhet t'ia linim Partizanit?! Se përsëri na interesonte për t'ia lënë Partizanit. Shiko çfarë paragjykimesh...!

Këtë vit si e shikoni garën në Kupën e Shqipërisë?

Do të jetë më e vështirë për Laçin? Shumë më e vështirë. Më keq se kaq nuk e kemi pasur ndonjëherë më parë.

Duke ditur se ndeshjen e parë e luani në Laç, mos ndoshta ju ka mërzitur më shumë ky fakt, pasi në edicionet e kaluara keni zhvilluar takimet e kthimit në shtëpi?

Për mua nuk ka shumë rëndësi. Nuk mund të them se duke luajtur ndeshjen e parë në Korçë, në takimin e kthimit në Laç do të bëjmë namin. Uroj të kalojmë ndeshjen e parë që e luajmë në shtëpi, ajo ka shumë rëndësi për ne kësaj here.

Si e shikoni ekipin pas ndryshimeve në stol?

Situata është shumë më e qetë, kaq mund të them.

Me largimin e Xhejmsit, po e vuani më shumë sesa duhet gjetjen e lojtarit gol...?

Xhejmsi na ka lënë deficite të mëdha, pasi ai ishte shumë i nevojshëm për ne. Mundësitë ishin të vogla për të marrë një sulmues tjetër, pasi ishin ditët e fundit të merkatos. Nuk mund të shkonim badihava, të futnim dorën në thes për të gjetur një sulmues. Detyrimisht do ta kalojmë me këta që kemi, laj-thaj. Do t'i nxjerrim në diell tani, meqë është ngrohur koha dhe ishalla thahen më shpejt...

A është sezon i dështuar për Laçin nëse mbeteni jashtë Europës?

Për shumë arsye nuk e vlerësoj dështim. Të them të drejtën, që kur kemi hyrë në Superiore, nuk e kam menduar në fillim të sezonit që do të shkojmë në Europë. Por, kemi arritur atje, mbase me futboll, mbase me fat. Nuk na takon gjithnjë ne që të dalim në Kupat e Europës, ka edhe skuadra të tjera shumë më të mira se Laçi. Në kuptimin e mirë të fjalës, nuk kemi pse të bëjmë rolin e të fortit dhe që duhet të dalim me çdo kusht.