e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lala: Hanoveri, perjetesisht ne zemren time

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lala: Hanoveri, perjetesisht ne zemren time
Hanoveri ka zënë vend përjetësisht në zemrën e Altin Lalës. Karriera 13-vjeçare e kaluar në këtë klub, që kur luante në Bundesligën 2 dhe më pas ngjitja në kategorinë elitare, kanë lënë gjurmë në mendjen e mesfushorit 36-vjeçar, i cili u shndërrua në një nga futbollistët më të rëndësishëm të këtij ekipi, ku madje për disa vite ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Ka qenë një idhull për tifozët e Hanoverit, por në dy sezonet e fundit nuk është se ka gjetur shumë hapësirë në skuadër. Gjithsesi ai është model si për klubin ashtu edhe për tifozët, të cilit nuk humbasin rastin për ta duartrokitur, sa herë që ai shfaqet në fushë. Lala po shijon maksimalisht edhe këtë mbyllje të karrierës.

20 vite më parë ai zbarkoi në Gjermani me Kombëtaren U-16 të Shqipërisë në një miqësore me homologët gjermanë. Por ai nuk u kthye më në vendlindje, duke ndërtuar një karrierë të mahnitshme në Gjermani. Ekipi i parë që e pikasi talentin e tij ishte Borusia Fulda më 1996-n. Dy vite më vonë Hanoveri i përvetësoi, për të mos ta lëshuar më në 13 sezonet e ardhshme. “Hanoveri është zemra e karrierës sime. Këtu kam kaluar momentet më të mira në karrierë dhe jam mjaft i kënaqur për këtë”, vazhdoi përfaqësuesi shqiptar, i cili do t’i japë fund edhe zyrtarisht eksperiencës me Kombëtaren shqiptare në muajin nëntor, në miqësoren me Azerbajxhanin. Edhe falë kontributit të tij të çmuar, Hanoveri arriti të ngjitej në vitin 2002 në Bundesligën 1 gjermane, ku vazhdon edhe aktualisht.

“Ajo periudhë ishte nismë e gjithçkaje që kam ndërtuar këtu. Fatmirësisht nga ajo kohë, gjithmonë kemi luajtur në elitën e futbollit gjerman”, rrëfeu mesfushori shqiptar. Gjatë kësaj periudhe Lala ka qenë mes futbollistëve të grumbulluar rregullisht në Kombëtaren kuqezi. Por mosha duket se e ka postuar disi nga vëmendja e trajnerit Mirko Slomka, i cili gjithsesi e ka aktivizuar disa ndeshje në Europa League dhe në kampionat. “Është fantastike që po ia dal të luaj edhe në sezonin e fundit”, nënvizoi Lala, i cili planifikon të mbetet në botën e futbollit edhe pas përfundimit të karrierës, por si trajner profesionist. Deri tani Lala numëron 176 ndeshje në Bundesligë dhe 1 gol, ndërsa me Kombëtaren ka shënuar 3 gola në 79 ndeshje të luajtura.