Laçi, sulmi dilema e vetme për trajnerin Zeka
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laçi do të presë të shtunën në shtëpi Partizanin dhe duket ditur objektivat e dy skuadrave, pritet një ndeshje mjaft e vështirë.
Por, përveç rëndësisë së takimit, me interes pritet debutimi i dyshes Zeka-Bankini në krye të pankinës bardhezi. Të dy teknikët janë shfaqur të kujdesshëm gjatë javës për të injektuar me takt stilin e tyre të punës, pasi pritet që ata të sjellin impulse të tjera në grup.
Në fakt, Eugent Zeka falë eksperiencës në Itali dha disa shenja në fillim të jav- ës se metodikat përgatitore në terren do të pasohen nga ato bashkëkohoret. Gjithsesi, primare për stafin dhe vetë skuadrën mbetet gjendja që kanë për momentin futbollistët. Grupi është i plotë, pa probleme të veçanta duke kryer më së miri udhëzimet e stafit teknik.
Ndërkaq, edhe dje skuadra ra në kontakt me topin. Dilemat e shumta mbeten me vendosjen e lojtarëve, që do të mbulojnë sektorin e mesfushës dhe atë të vijës ofensive. Nëse në mesfushë pak a shumë Zeka e ka një ide, për sa i përket sulmit për një vend titullari do të "luftojnë" Nimani, Mitraj dhe Malindi.
Zeka nuk la shumë për të kuptuar dje, pasi të gjithë lojtarët u përfshinë në axhendën e lojës kolektive. Gjithsesi, sot tekniku shkodran pritet t'i paraprijë ndeshjes së parë në krye të Laçit me deklarimin e formacionit të mundshëm, me të cilët do të zbresë nesër në fushë.
Tre ish-ët- Kastriot Rama, ishportier dhe trajner i ekipit laçian, që aktualisht ushtron detyrën e administratorit të klubit të Burrelit, ka qenë dje në Laç. Rama ka qenë i shoqëruar edhe nga dy ish të tjerë, Eduart Tanushi dhe Saimir Xhetani.
Nuk dihet se cili ka qenë misioni i drejtuesve matjanë gjatë vizitës së djeshme, gjithsesi "Panorama Sport" shfrytëzoi momentin për t'u marrë një mendim lidhur me sfidën Laçi-Partizani. "Nuk kemi ardhur për ndonjë mision. Jemi rastësisht në Laç dhe po takojmë miqtë tanë. Ndeshja me Partizanin? Laçi është një skuadër e fortë dhe ne të gjithë do t'i uronim më të mirën. Sigurisht që me Partizanin, nuk do ta ketë të lehtë", thanë në unison tre ish-futbollistët e Laçit.