e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Laçi, Nica projekton ndryshime në sulm

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laçi, Nica projekton ndryshime në sulm

Laci-Tirana 2-0. kurbinasit i gezohen golit. Sheta ne cepSkuadra kurbinase, për shkak të motit me shi, dje është spostuar në Kamzë. Për rreth dy orë, grupi nën drejtimin e Nicës është ushtruar me programin e ditës, gjatë të cilit janë kryer një sërë veprimesh. Fillimisht Nica i ka vënë të tijtë në nxehmje, ushtrime aerobike, kuadrat dhe më pas pak minuta lojë.

Ndeshja e së shtunës me Vllazninë, për më tepër në transfertë, i gjen bardhezinjtë me moral jo të mirë, pasi ende një pjesë e mirë e futbollistëve nuk e ka kapërdirë humbjen në shtëpi me ballshiotët.

Kjo situatë s'i ka shpëtuar stafit teknik dhe për t'i rritur në aspektin psikologjik, Nica e ka ndalur disa herë seancën duke u thënë lojtarëve të caktuar se duhet harruar ndeshja e kaluar dhe se ka ardhur momenti që ata të tregojnë vlerat që mbartin.

"Jemi para një takimi që duhet të shfaqemi dinjitozë. Ajo e së dielës është arkivuar, ndaj mos e mbani më mendjen te takimi i kaluar. Na duhet më shumë impenjim këtë javë për t'u bërë gati e për të shkuar në takimin e radhës me mendësi fituesi", është dëgjuar të flasë trajneri gjatë seancës.

Ndërkohë për sfidën e së shtunës, Laçi do ta ketë thuajse të plotë kontingjentin. Në pikëpyetje është vetëm Zefi, pasi si Mustafa edhe Malindi janë përshirë me angazhimet e grupit. Ndryshe nga takimi me mallkastriotët, duket se Nica këtë transfertë po e përgatit për ta përshtatur në mënyrë më të studiuar.

Edhe pse ka ditë deri në ndeshjen me kuqeblutë, stafi teknik ka dhënë dje idenë se sërish te Laçi do të ketë lëvizje në formacion. Disa nga futbollistët që Nica iu besoi ndaj Bylisit dhe me gjasë nuk e kanë bindur, pritet të dublohen nga të tjerë. Kritika konkrete ka pasur për vijën e parë të sulmit, e cila, edhe pse u shërbye shpesh nga Veliaj e Cetkoviç, nuk e bënë si duhet detyrën.