Kukësi, Gjici i jep ultimatum skuadrës për katër fitore radhazi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kukësi ka dalë dje me një deklaratë ku, përveç çështjes së gjykimit, ka zbardhur edhe "ultimatumin" e dhënë nga Safet Gjici për ekipin. Presidenti ka zhvilluar një takim me lojtarët dhe stafin teknik, të cilëve u ka kërkuar 4 fitore radhazi.
Është ky kushti i drejtuesve më të lartë të verilindorëve për të siguruar objektivin Europë nga kampionati. "Ekipi sot (dje) ka rinisur stërvitjen në Pezë Helmës dhe synon që në ndeshjen e së shtunës në Kukës ndaj Flamurtarit të marrë tri pikët.
Në takimin me stafin, presidenti Safet Gjici ka kërkuar katër fitore radhazi për të kapur ritmin drejt vendeve që e çojnë ekipin në Kupat e Europës", shkruhej ndër të tjera në deklaratën e klubit të Kukësit. Pra, skuadra është e dënuar që të marrë maksimumin e pikëve ndaj Flamurtarit, Vllaznisë, Laçit dhe Tërbunit.
Përgatitjet - Pas kontestimeve dhe ankesave për gjykimin, nënkampionët në fuqi të vendit kanë rinisur dje stërvitjen. Stafi teknik, para se të arkivonte humbjen me Partizanin, zhvilloi një analizë të detajuar, i ndihmuar edhe nga pamjet filmike.
E megjithatë më së shumti janë me anën teknike, pa u ndalur në momentet që u penalizuan nga gjyqtari. Nga kjo ndeshje u konstatua që Partizani kishte shkuar vetëm 3 herë në portë dhe në një rast shënoi gol, kur Sukaj i shpëtoi mbulimit të Hallaçit dhe realizoi gol.
Ndërkohë Duro evidentoi se skuadra reagoi mjaft mirë, paç- ka se iu mohuan 2 penallti. Trajneri i këshilloi të tijtë që të jenë më të saktë në vendosje, duke i zbatuar me përpikëri udhëzimet e tij. Por nga sulmi pret më shumë përqendrim, sidomos në situatat e krijuara para porte.
Duro ka kërkuar që për ndeshjen me Flamurtarin të mos falin më raste. Plus që mesfusha duhet të punojë më shumë, për të mbështetur lojtarët e vijës së parë. Kreu i pankinës ka lajmëruar ekipin që sot pas stërvitjes skuadra do të udhëtojë drejt Kukësit, për t'u përshtatur edhe me terrenin.