Haxhiaj: Flamurtarit i kushton 80 mln lekë një lojtar i rëndomtë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pretendimet e vlonjatëve karshi bashkisë kanë prekur ndjeshëm homologët e ekipit të Kategorisë së Dytë, madje deri në atë pikë sa mes klubeve ka nisur një luftë mediatike.
"Këshilli Bashkiak dhe Bashkia Vlorë po gjejnë kohën e mjaftueshme që të merren me buxhetin e KF Orikumit dhe problematikat e kësaj skuadre në Kategori të Dytë.
Por, në asnjë rast ky këshill dhe kjo bashki nuk kanë gjetur mundësinë të njihen dhe shqetësohen për problematikat e borxheve të vjetra të Flamurtari F.C". Ka qenë ky paragraf nga deklarata e Klubit të Futbollit Flamurtari, që ka irrituar së tepërmi krerët e skuadrës fqinje.
Flet trajneri
Në një reagim për "Panorama Sport", trajneri i Orikumit, Albert Haxhiaj, ka shpërthyer ndaj kuqezinjve, duke i paralajmëruar që të mos merren më me ekipin që ai drejton. Atij i duket e tepërt që prej më shumë se dy muajsh, Flamurtari po merret me ta, në një kohë që taksapaguesit e qytezës bregdetare derdhin në arkën e Bashkisë së Vlorës 1 milion dollarë, duke justifikuar kësisoj shpenzimet.
Madje, numri një i Orikumit shkon deri aty sa bën edhe një krahasim mes fondeve të Flamurtarit dhe Orikumit. Haxhiaj deklaron se një lojtar i rëndomtë i Flamurtarit merr 80 milionë lekë (të vjetër), aq sa kushton i gjithë ekipi i Orikumit për një vit.
"Drejtuesit e Flamurtarit kanë dy muaj që po merren me Orikumin. Më bën shumë përshtypje një gjë e tillë. Ata duhet t'i gjejnë te vetja si problemet, ashtu edhe defektet. Nuk i kemi gjë borxh Flamurtarit ne. Qytetarët tanë të Orikumit i japin Bashkisë së Vlorës 1 milion dollarë taksa.
Madje mund të them se sa kushton i gjithë ekipi i Orikumit në një vit, shifër që shkon në 80 milionë lekë, aq kushton lojtari më i rëndomtë i Flamurtarit. Të mos merren me ne, por të kthehen te problemet e tyre. Ku e kanë akademinë vlonjate?!
Por, pavarësisht kësaj që mua nuk më takon të futem, më lind e drejta që t'u kërkoj që të mos përzihen me Orikumin, se nuk u shkon për shtat", kështu tha trajneri Haxhiaj, i cili u shfaq tejet i revoltuar nga deklarata e klubit kuqezi.