Josa: E merituam në fushë, mjaft me akuza të pafundme
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Deklaratat e fundit të klubit bardhe blu duket se po prishin imazhin e fitores së Skënderbeut në përballjen e fundit të luajtur në Korçë, që u vendos nga një gol i Salihit nga pika e bardhë.
Duke parë një situatë të tillë të krijuar nga klubi kryeqytetas që prej ditësh tashmë vijon pretendimet se është vjedhur në Korçë, ka ardhur edhe reagimi i klubit bardhekuq të Skënderbeut me anë të trajnerit Mirel Josa.
Numri një i pankinës korçare duket se nuk i pranon fjalët dhe akuzat e Tiranës duke dhënë arsyetimin e tij në lidhje me takimin e së hënës në Korçë. Ashtu sikundër pranoi faktin që penalltia e Tiranës qëndronte, me të njëjtën vendosmëri e siguri trajneri Josa ka analizuar pështjellimin që Tirana po i bën situatës postndeshje, duke trazuar edhe ambientin bardhekuq që tashmë e ka mendjen te dueli i radhës kundër Bylisit.
Skënderbeu e meritoi
"Për sa i përket ndeshjes së luajtur në fushë, ne e fituam me meritë atë dhe këtë nuk e hedh poshtë askush. Tiranën e dominuam në këtë ndeshje. Ata nuk shkuan në portë asnjëherë gjatë pjesës së parë, ndërsa ne kishim raste të pastra për shënim dhe goditëm mbi dhjetë korne.
Kjo është ajo që tregoi fusha në ndeshje. Tirana në pjesën e parë kaloi vetëm tri herë mesin e fushës dhe sulmi i parë i tyre erdhi në minutën e 30-të të pjesës së dytë, në atë moment kur ne ndërruam taktikë dhe hodhëm shumë forca sulmuese në fushë, e për pasojë u zhbalancuam sidomos në krahun e majtë, ku ata patën hapësirat më të mëdha", theksoi Josa fillimisht duke argumentuar më pas edhe rastin e penalltisë që Tirana aq shumë po akuzon për vjedhje.
Asnjë vjedhje "Skënderbeu nuk ka vjedhur asgjë. Nuk di të them nëse ne jemi vjedhur apo jo. Por dua të di se çfarë ambicie kanë te Skënderbeu që po e sulmojnë kaq shumë me deklarata të tilla. Ne nuk kemi vjedhur asgjë, fitoren e kemi merituar. Për momentin e penalltisë unë e pranova menjëherë pas ndeshjes dhe thashë që ishte.
Por, nga ana tjetër, kërkoj që një episod i vetëm të mos shuajë vlerat tona. Ishte një gabim që kësaj here iu bë Tiranës, por edhe herë të tjera na është bërë edhe ne", vijoi Josa. Më tej, numri një i pankinës korçare ka komentuar edhe ndeshjen e parë të luajtur në Tiranë, atje ku bardheblutë e përmendën sërish se u është mohuar rezultati pozitiv.
"Ndeshjen e parë të gjithë e kanë parë dhe e analizuan. Nuk duam të shpërqendrohemi më, pasi do të mendojmë për ndeshjen kundër Bylisit. Një shpërqendrim tani do të thotë se nuk do t'i kemi mirë punët në ndeshjen e radhës. Prandaj dua të mendoj për Bylisin tani. Skuadrës sime po i ulet kontributi që ka dhënë në këtë takim duke dominuar ndeshjen dhe e merituar fitoren.
Taktikisht e dominuam ndeshjen, e thashë humbëm ekuilibrat në pjesën e dytë pas shënimit të golit dhe kjo ishte normale, pasi kishim katër sulmues në fushë". Deklarata e Dajës? "Nuk besoj se më takon mua që të merrem me deklarata të tilla dhe nuk merrem aspak. Dajën e kam koleg dhe i uroj gjithë të mirat dhe suksese në punën e tij", përfundoi trajneri.