Futsall/ Kur shqiptarët i japin Gjermanisë pesë lojtarë për Kombëtaren
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klubi shqiptar Liria ka plot pesë futbollistë në Përfaqësuesen e Gjermanisë. Nuk bëhet fjalë për klubin prizrenas të futbollit Liria apo për Përfaqësuesen e Gjermanisë në futboll. Bëhet fjalë për klubin Liria nga Berlini dhe për Përfaqësuesen e Gjermanisë në futsall.
Gjermania është forcë në futbollin botëror, është kampione në fuqi e botës, ndërsa titullin e ka fituar plot katër herë. Por, shumë më keq qëndron në futsall, një version i lojës më të popullarizuar që luhet në sallë.
Futsalli është popullarizuar shumë në vitet e fundit në Europë. Pati mjaft shikues dhe publicitet Europiani i futsallit që u mbajt këtë muaj. Edhe në Kosovë, kjo lojë gëzon mjaft popullaritet. Madje, Kosova qëndron para Gjermanisë, të paktën sa i takon përfaqësueses në futsall.
Kosova ka kohë që ka përfaqësuese të futsallit, ndërsa Përfaqësuesja e Gjermanisë në futsall është në themelim e sipër.
Të martën, në sajtin e Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB), është publikuar lista me emrat e 25 futbollistëve të përzgjedhur në Përfaqësuesen e zgjeruar të Gjermanisë në futsall. Në listën e lojtarëve, në katër vende klubi shkruan të jetë FC Liria.
Nga Liria, në Përfaqësuese të Gjermanisë në futsall janë portieri Pavlos Wiegels dhe lojtarët Durim Elezi, Lennart Hartmann e Walid Temiaa. Por drejtues të këtij klubi kanë njoftuar se i Lirisë është edhe Manuel Groschk, i transferuar së fundi te klubi shqiptar nga Berlini.
Murseli: Jemi krenarë!
Formimi i Përfaqësueses së Gjermanisë po kalon nëpër disa faza. 25 më të mirët janë përzgjedhur nga një grup prej 49 lojtarë që po ashtu ishin të përzgjedhur e që u paraqitën para trajnerit të Gjermanisë në futsall. 25 më të mirët do t'i nënshtrohen një faze tjetër seleksionimi gjatë muajit mars, ka njoftuar DFB-ja.
Më i njohuri prej tyre është Lennart Hartmann, pikërisht i klubit shqiptar Liria, që është futur në histori si lojtari më i ri i Hertha Berlinit që ka luajtur në Bundesligë. Gjermania ndeshjet e para ndërkombëtare në futsall do t'i luajë më 30 tetor e 1 nëntor të këtij viti. Vitin tjetër, plani i DFB-së parashikon që Gjermania të nisë me paraqitjet në kualifikime. Vetëm në dhjetor DFB-ja vendosi të formonte përfaqësuese në futsall.
"Natyrisht që jemi krenarë që klubi ynë i ka pesë lojtarë në përfaqësuesen e Gjermanisë në futsall, që është ende në formim e sipër", ka thënë të martën për të përditshmen kosovare "Koha Ditore" Sadik Murseli, menaxheri i klubit Liria.
Klubi Liria si vit të themelimit ka 1985-n, por si klub futbolli. Skuadra e futsallit është themeluar në vitin 2010.
Sipas Murselit, futsalli është lojë e re në Gjermani, që ka nisur të luhet në vitin 2007. Ai tregon se Federata gjermane nuk ka pasur interes që deri më tani të themelojë përfaqësuese të futsallit. Por, së fundi ka vendosur pasi ka pasur pak presion edhe nga FIFA e UEFA.
Fustalli në shumë vende europiane tashmë është bërë lojë profesioniste. Mjeshtëritë që shihen në ndeshje të futsallit nuk shihen shpesh në ndeshje futbolli.
Klubi Liria, ndër më të mirët në Gjermani
"Përfaqësuesja e Gjermanisë në futsall po themelohet tani, ndërsa prej vitit tjetër do të marrë pjesë edhe në kualifikime, përkatësisht në gara zyrtare. Ne si skuadër jemi aktualisht mes tetë më të mirëve në Gjermani. Po rritemi, ashtu si futsalli në Gjermani.
Klubi ynë është shqiptar, stafi udhëheqës i gjithi është shqiptar, ndërsa lojtarët janë të përzier, pasi kualiteti dhe përvoja e lojtarëve gjer manë dhe të huaj në fustall është më e lartë, për fat të keq. Për momentin, i kemi tre lojtarë shqiptarë, dy boshnjakë dhe shumica janë gjermanë", ka treguar Murseli. Garat e futsallit në Gjermani ende zhvillohen në baza rajonale.
Vetëm Kupa e DFB-së në futsall mbledh ekipet më të mira. Në Kupë këtë edicion do të luajë edhe Liria. "Jemi skuadra e vetme që kemi fituar tri herë Kupën e Berlinit në futsall dhe që kemi dy tituj të Berlinit në futsall. Kampioni dhe nënkampioni marrin pjesë në garat rajonale, ndërsa gjithsej në Gjermani janë katër rajone.
Edhe në këtë nivel dy herë ishim nënkampionë dhe kjo na mundësoi që të marrim pjesë në garën për Kupën e Gjermanisë, për herë të parë". Liria funksionon në baza gjysmëprofesioniste. Klubi nuk ka shumë tifozë e përkrahje, ashtu si klubet e tjera të futsallit në Gjermani.
Por, falë programit të DFB-së, futsalli pritet të rritet në Gjermani dhe në këtë proces drejtuesit e Lirisë e shohin rastin e tyre.