e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ky Arsenali nuk fal, Ozil dhuron spektakel

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ky Arsenali nuk fal, Ozil dhuron spektakel

Vjen humbja e parë e sezonit për Napolin. Mbrëmja europiane këtë herë shoqërohet me një disfatë të hidhur në Londër për të kaltrit në përballjen ndaj ‘topçinjve’. Skuadra, e drejtuar nga Rafa Benitez, nuk bën dot rezistencë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën është shumë pak konkrete, duke mos shfrytëzuar kështu hapësirat më të mëdha që pati në dispozicion. Përballja në “Emirates Stadium” përfundon me rezultatin 2-0 për Arsenalin, ku në fushë nuk është Gonzalo Higuain.


Dominimi i vendësve Nisja e ndeshjes është një torturë e vërtetë për Napolin. Vendosmëria më e madhe e Arsenalit bën që ekipi italian ta ketë punën keq dhe të vuajë. Vetëm pasi kalojnë 8 minuta lojë, Napoli tronditet. Ramsei, pasi çan në të djathtë pas një shkëmbimi të topit me Zhirudin, jep një asist perfekt për Ozilin, i cili me të majtën shënon një supergol. Mbrojtja e të kaltërve nuk arriti të bllokonte topin, që u kaloi përpara syve.

Napoli vazhdon të vuajë dhe duket se në Londër është një skuadër me probleme, ndryshe nga ajo e Serisë A. Mbrojtja është ajo që shqetëson, ku Britosi dhe Albioli gabojnë vazhdimisht, ndërsa nga krahët Zuniga dhe Mesto kalohen nga rivalët në mënyrë sistematike. Ndeshja do të përfundojë në minutën e 15-të, kur Ozili i pason Zhirudit topin e golit të dytë.
Napoli i ndrojtur Në 45 minutat e dyta Arsenali lëshon më shumë hapësira, pasi dy golat e avantazhit bëjnë që ta marrin ndeshjen më qetë. Kjo i jep mundësi Napolit që të organizohet. Benitezi ul në stol Pandevin dhe fut në lojë Mertensin për t’i dhënë më shumë gjallë strategjisë së tij. Gjuajtja e parë në portë do të vinte në të 70- ën minutë, pikërisht me anë të belgut, por gardiani Shezni pret pa vështirësi. Reagimi i vendësve vjen pesë më vonë, kur Koshielni me kokë i afrohet golit të tretë, por Reina pret. Deri në fund Napoli, me gjithë përpjekjet, e ka të pamundur që të mund të bëjë diçka ndaj Arsenalit.

“Ishim perfektë, Mesuti super”


Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka vlerësuar paraqitjen e ekipit ndaj Napolit. “Pjesa e parë ishte perfekte si sa u përket zgjedhjeve në fushë, ashtu edhe për kombinimet. Ndërkohë, në 45 minutat e dyta ishim më të kujdesshëm. Paraqitja e mirë në këtë sezon vjen nga fitoret e mëparshme dhe nga blerja e Ozilit, i cili është një lojtar i jashtëzakonshëm. E ardhmja? S’kam dëshirë të largohem, por të fitoj këtu, ndaj mund të rinovoj”.

“Ta harrojmë këtë ndeshje”


Trajneri Rafa Benitez e pranon se Napoli gaboi ndaj “topçinjve”: “Nisja e garës nuk më pëlqeu, pasi ne u shfaqem keq dhe dy golat që pësuam ndryshuan gjithçka. E humbëm besimin te vetja, ndërkohë që në pjesën e dytë luajtëm më mirë, por ishte e vështirë që të mund të përmbysnim rezultatin në një fushë si kjo. Mungesa e Higuainit rëndoi për ne, pasi është e vështirë të mund të kesh një lojtar të nivelit të tij. Tentuam, por hapësira nuk gjetëm dot”.