Barca triumfon mes shqelmave ne Skoci
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sa herë që Barcelona mëson se duhet të udhëtojë për në Skoci për t’u përballur me Sëlltikun, shtrëngon dhëmbët fort për shkak të shqelmave që duhet të marrë gjatë ndeshjes. E njëjta filozofi loje e vendësve si gjithmonë, duke u mbrojtur me të gjitha forcat dhe duke trembur kundërshtarin me ndërhyrjet e ashpra. Gjithsesi, ndryshe nga viti i kaluar, këtë herë katalanasit dolën triumfues, duke marrë tri pikët. Në mungesë të Lionel Mesit, Tata Martino pozicionoi Fabregasin si sulmues qendre, i mbështetur nga krahët prej Pedros dhe Nejmarit. Një pozicion që Cesk e ka praktikuar edhe më parë, madje ka pasur efikasitet mbresëlënës, ashtu si edhe dje, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes. Nga ana tjetër, trajneri Neil Lenon luajti me një sulmues të avancuar, grekun Samaras. Në pjesën e parë spanjollët qarkulluan topin, pa u lënë shumë mundësi skocezëve që të kenë mundësi të ndërtojnë aksione. Mirëpo përballë një “muri” të rreshtuar mirë miqtë e patën mjaft të vështirë që të krijojnë mundësi shënimi. Nejmar ishte më i lëvizshmi. Një paraqitje shumë e mirë ishte edhe ajo e Bartras dhe Viktor Valdesit. Ky i fundit shpëtoi mrekullisht portën në dy raste, duke u dhënë mundësinë ekipeve që të shkojnë në dhomat e zhveshjes në barazim pa gola.
Pjesa e dytë - Rrjedha e lojës ndryshoi në minutën e 58-të, kur arbitri Stefab Lanoj nxori me karton të kuq Braunin. Ai goditi me shqelm në kurriz Nejmarin, ndërsa ky ishte i shtrirë, dhe kaq mjaftoi që të dalë para kohe nga fusha e lojës. Kjo u dha mundësinë lojtarëve të Martinos që të gjejnë hapësira dhe mbi të gjitha të shënojnë golin e suksesit. Në të 75-ën, Fabregas goditi bukur me kokë një krosim të ardhur në zonë, duke e dërguar topin në krahun tjetër të portierit Forster. Tri pikë të arta, duke menduar që në Skoci, ekipet e tjera të grupit pa diskutim që i pret “ferri”…
“Bartra dhe Valdes ishin të shkëlqyer”
“Kur mungon Mesi, skuadra ndryshon edhe mentalitetin në fushën e lojës. Bëjnë pasime më të shpeshta dhe më të shpejta. Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë dhe e merituam fitoren, pavarësisht se Sëlltiku bëri të pamundurën për të na e vështirësuar ndeshjen”, – deklaroi trajneri Martino. “Barta u paraqit shkëlqyeshëm, duke markuar mjaft mirë lojtarin më të rrezikshëm të kundërshtarit, Samaras. Gjithashtu, Valdes bëri një pritje mbresëlënëse që pa diskutim ndikoi në fitoren tonë. E gjithë skuadra dha maksimumin dhe tregoi se jemi të aftë të fitojmë kudo, edhe ndaj një rivali që luan lojë të ashpër dhe mbrohet me shumë futbollistë”, – shtoi tekniku argjentinas i Barcelonës