e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Dortmundi spektakel, triplete ndaj Marsejes

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dortmundi spektakel, triplete ndaj Marsejes

Borusia Dortmund është shndërruar në një “vullkan” në tempullin e futbollit “Sinjal- Iduna-Park”. Nënkampionët e Europës kanë marrë hak kundër Marsejës. Nën regjinë e asistentit boshnjak Zeljko Buvak, Borusia fitoi 3-0 duke nderuar trajnerin Jurgen Klop, i cili për herë të parë i ka ndjekur “kolopuçët” e tij nga tribuna lindore e stadiumit, ku para ndeshjes ndezi edhe një cigare “Lucky Strike” për të qetësuar nervat. Kujtojmë që, dy vite më parë Marseja i fitoi të dyja ndeshjet (3-0, 2-3).


Taktika – Marseja zgjodhi skemën 4-2-3-1 e transformuar në 4-4-2. Valbuena dhe Khelifa shërbenin si dy sulmues për të mbajtur rreth vetes mbrojtjen. Ndërsa asistenti i Klopit, Buvak, me modulin 4-2-3-1 të shndërruar në 4-3-3 kishte inskenuar kundërsulme të rrezikshme, të cilat bënë edhe diferencën në këtë ndeshje. Në vend të portierit Vajdenfeler dhe mbrojtësit Shmelcer, asistenti boshnjak i besoi Langerakut dhe Durmit. Dortmundi e nisi me vrull lojën, por në minutat e para Marseja rrezikoi me anë të sulmuesit Khelifa, i cili protestoi për një penallti, por mbrojtësi Durm ndërhyri pastër sipas gjyqtarit. Më pas vendësit morën frenat e lojës duke kundërsulmuar rrufeshëm. Në minutën e 19- të u organizua kundërsulmi perfekt i golit. Marseja humbi topin, 5 dortmundas u hodhën në kundërsulm duke përdorur rregullin e trekëndëshit të shenjtë. Pas kombinimeve diagonale, Groskrojc-Mikhitarjan-Rojs, mbrojtësi Durm pasoi në diagonale te Levandovski dhe polaku shënoi me portë bosh. Një minutë më pas Levandovski kishte shansin të shënonte golin e dytë, mirëpo përballë portierit Mandanda gaboi. Në minutën e fundit të pjesës së parë, sulmuesi polak realizoi sërish, por goli iu anulua, pasi ishte në pozicion të parregullt.


Rojs dyfishon – Në minutën e 52-të, Marko Rojs gjuajti drejt portës nga një goditje e lirë dhe portieri Mandanda u hutua duke kapur topin brenda vijës fatale. Dortmundi në avantazh të dyfishtë. Trajneri Klop u tërbua në tribunë duke festuar si i çmendur. 10 minuta para fundit, mesfushori Rojs u shkëput nga e djathta duke dribluar mbrojtësin Nkulu, por ky i fundit i shkaktoi faull dhe gjyqtari akordoi penallti, edhe pse ishte e dyshimtë. Ishte Levandovski dhe jo Aubamejang ai që gjuajti penalltinë dhe shënoi golin e tretë. Për polakun ishte goli i 13-të në Champions. Marsejezët ishin inekzistentë në fushë. Me këtë fitore Dortmundi kap vendin e dytë në Grupin F dhe bëhet gati për ndeshjen e radhës në Londër më 22 tetor ndaj Arsenalit.

Klop: Kundërsulmet ishin të frikshme


Trajneri i Dortmundit, Jurgen Klop, e ka parë nga tribuna ndeshjen ndaj Marsejës. Ashtu si në pankinë, ai dhuroi spektakël dhe teatër edhe në tribunën lindore ku kishte vendosur të shihte ndeshjen. “U thashë djemve që duhet të mësohen edhe në këtë formë. Zhvilluam një ndeshje spektakolare, të një niveli shumë të lartë. Marseja është një ekip që bën lojë të fortë, por ne bëmë që loja e tyre të mos funksiononte. Mbyllja e kundërsulmeve funksionoi perfekt. Skuadra ishte e përgatitur dhe respektoi çdo këshillë timen”, – tha Klop.