Mario Baloteli hero ne sekonden e fundit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tashmë kuptohet qartë që gjërat e lehtë nuk i pëlqejnë këtij Milani, duke qenë që “Djalli” shfryn “zjarr” vetëm në minutat e fundit. Dhe, pas ndodhive në kampionat, dje u përsërit edhe në Champions, në “Amsterdam Arena”, ku falë një penalltie të fituar dhe të transformuar në gol nga i rikthyeri Mario Baloteli, Milani arriti të largohet nga Holanda me një pikë, pas barazimit 1-1. Por, edhe këtë herë, kuqezinjtë nuk kanë asgjë për të festuar, këtë nuk e bën trajneri Alegri, i cili po fillon të ndjejë peshën e barazimeve të shumta dhe të dielën kundër Juventusit nuk do të mjaftojë më një skuadër që ndizet vetëm në sekondat e fundit.
Dominim holandez Pas breshërisë me të cilën e priti Barcelona në debutimin e tyre në Champions, Ajaksi nuk ka ndër mend që kundër Milanit të nënshtrohet sërish, por hidhet menjëherë në sulm dhe është realisht i rrezikshëm. Mbase kaq mjaftoi dhe në 45 minutat e para, holandezët monopolizuan sferën por, edhe pse nuk po bënin diçka që të mahniste, zotërimi i topit dhe sulmet nga krahët u hapën jo pak punë italianëve. I pari që lëshon sinjalin ishte Fisher, me një goditje që përfundon ngjitur me shtyllën. Ndërsa Milani, i cili duket shumë “i turpshëm” kundrejt të zotëve të shtëpisë, nuk arrin që të rrëmbejë sferën dhe të dalë nga gjysmëfusha e tyre, janë pa ide dhe kjo duket qartë. Prandaj, i vetmi që ka punë për të bërë nga kuqezinjtë është portieri Abiati, që për ta dërguar skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes me rrjetën e paprekur duhet të bëjë dy ndërhyrje vendimtare ndaj Sgtorsonit dhe Duartes. Ndërsa Baloteli, i vërshëllyer sa herë që prekte topin, dhe shokët e tij duhet të kënaqen me 0 gjuajtje në kuadrat dhe 26 për qind të zotërimit të topit, në 45 minutat e para.
Fund “djallëzor” Pjesa e dytë nis siç ishte menduar ky takim, me Milanin që merr ndeshjen në dorë dhe me Balotelin që duhet të sulmojë portën e “tulipanëve”. Por, bëmat e Marios nuk kalojnë pa u vënë re, as në Holandë mesa duket, sepse mbrojtësit rivalë nisin të luajnë ashpër dhe ta provokojnë sulmuesin që, falë ndihmës së shokëve të tij, arrin të ruajë qetësinë. Mirëpo, Baloteli është edhe njeriu më i rrezikshëm në fushë në këtë pjesë të dytë dhe, pasi merr një të verdhë pas një faulli ku shfryn nervozizmin e shqelmave të kundërshtarëve, pak minuta nga fundi godet traversën. Mbase sfera do të kishte përfunduar në rrjetë nëse nuk do të ishte për devijimin e magjishëm të portierit vendës, por sërish shifrat mbeten 0-0. Fundi i ndeshjes afron dhe Milani kërkon gjithashtu një penallti për prekje të topit me dorë në zonë, por edhe këtë herë arbitri Erikson lejon avantazhin, sepse mbase as që e pa fare atë episod. Por, teksa Ajaksi nis të lëshojë totalisht në zonë, Milanit nisin t’i shterojnë forcat, ndonëse në sulm zbret edhe Matri që shton kilogramë dhe centimetra. Dhe, kur të gjithë prisnin se gjithçka do të mbyllej në paqe, ndeshja merr zjarr. Fillimisht Ajaksit i anulohet një gol për faull në zonë, por në të 90-ën minutë vjen goditja e papritur. Goditje nga këndi dhe Densvil kërcen më lart se të gjithë, duke shënuar golin e avantazhit. 1-0, por Milani pikërisht tani beson, sepse në sekondën e fundit Baloteli fiton një penallti pas një faulli të Van der Horn dhe ekzekuton saktësisht. 1-1, rezultat dhe ndeshje e çmendur, Baloteli feston duke i vënë të gjithë në heshtje, por Milani i vërtetë, ai që duhet të luftojë për trofe, duket ende larg.
“Në 45′ e para urdhërova unë që të luanim keq”
Milanit dhe Masimiliano Alegrit duket se po i bëhen disi të shpeshta këto fundndeshjet elektrizuese. Pas barazimeve “in extremis” kundër Bolonjës dhe Torinos, i njëjti skenar u përsërit dje me Ajaksin. “E dinim që pjesa e parë nuk do të ishte e lehtë, prandaj Milani bëri një pjesë të parë në mbrojtje dhe të shëmtuar, vetëm sepse e urdhërova unë. Duhej të mundoheshim që të ulnim ritmin e Ajaksit dhe, pavarësisht surpremacisë në zotërimin e topit, nuk rrezikuam për t’u ndëshkuar. Ndërsa në pjesën e dytë duhej të sulmonim, të fitonim ndeshjen, sepse ishim më të freskët. Gjithsesi, për mua ky barazim është një pikë shumë e rëndësishme, një pikë që na afron me kualifikimin. Pse të mos rrezikoja më shumë? Sepse ajo që na ndodhi në fund, pra mungesa e të markuarit siç duhet, mund të na kishte ndëshkuar edhe më rëndë që në pjesën e parë. Pastaj, me gjithë këto ndeshje të luajtura në dy javët e fundit, ishte e pamundur për ne që të ishim në sulm për 90 minuta. Fizikisht po vuajmë shumë në këtë moment”, – tha trajneri Alegri.
“Meritonim ne të fitonim, barazim gënjeshtar”
Në përfundim të ndeshjes, i pari që është paraqitur te gazetarët ka qenë kapiteni i Milanit, Rikardo Montolivo. I rikthyer pas një dëmtimi disi të gjatë, “arkitekti” i lojës së kuqezinjve nuk është aspak i kënaqur me barazimin, ndonëse ai erdhi në mënyrë drithëruese në fund: “Nëse ka një skuadër që duhej të kalonte në avantazh në pjesën e dytë ata ishim ne. Pranoj se në pjesën e parë ishim të fikur, u munduam të mos nxitohemi dhe të administrojmë, duke studiuar kundërshtarët, pak a shumë siç bëmë gjatë eliminatoreve kundër PSV-së. Fundja, nuk e prisnim që të ishte e lehtë, por në pjesën e dytë u pa Milani i vërtetë, ai Milan që tani e në vazhdim duhet ta nisë nga ky 45-minutësh sezonin e vërtetë. Barazimi vlen sa një fitore? Pësuam gol nga goditje këndi, por luajtëm në mënyrë perfekte në pjesën e dytë. Prandaj, edhe pse për mua ky barazim është gënjeshtar, shpresoj që në Torino kundër Juves të shohim Milanin e 45 minutave të dyta dhe do hapim një seri fitoresh në kampionat”, – u shpreh 28-vjeçari.
De Bur: Mario ka nisur të studiojë … teatër
Frank De Bur është plotësisht i revoltuar me arbitrin e ndeshjes, suedezin Xhonas Erikson, sipas të cilit ishte fajtori kryesor që Ajaksi i fali një pikë Milanit. Por, në të njëjtën kohë, holandezi bën ironi edhe me Mario Balotelin. “Të marrësh një penallti kundër, kur për më tepër ajo është e dyshimtë, të djeg si acidi. Por ky është futbolli i sotëm, këta janë arbitrat që drejtojnë në fushë, të cilët kanë frikë që të vërshëllejnë teksa ndeshja luhet në mesin e saj, por në fund as që u dridhet buza që të vërshëllejnë, e mbase kështu bëhen protagonistë edhe ata. Nuk e di se për çfarë janë të lumtur te Milani, por kjo do të thotë që ne i dominuam dhe në fund meritonim që fitorja të ishte e jona, jo e italianëve. Ata mendojnë të kundërtën? Le ta shohin edhe njëherë ndeshjen dhe shifrat, sidomos ato të pjesës së parë. Baloteli na dënoi? Mesa duket, Mario ka nisur të studiojë lëvizje të veçanta në zonën e rreptësisë, sepse së fundmi e kam parë që merr shumë penallti në favor. E përgëzoj edhe për ‘stilin’ e ri që ofroi kundër nesh, teatër i pastër”.