De Biazi do 145 mije Euro shtese per rinovimin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka kërkuar 30 për qind shtesë page për të rinovuar kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit, ose thënë ndryshe 145 mijë euro më shumë nga sa ka kontratën aktuale. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta në FSHF, të cilat konfirmojnë nga ana tjetër se presidenti i federatës, z.Armand Duka, nuk ka ndër mend të lëshojë më shumë se 10 për qind shtesë rroge, ose thënë ndryshe 48 mijë e 400 euro, në të kundërt rinovimi mund të konsiderohet si një ëndërr. Në pamje të parë duket sikur palët janë shumë larg, paçka se në federatë janë gati të bindur se De Biazi në fund do të dorëzohet dhe do pranojë ofertën e presidentit Duka, kjo nisur edhe nga buxheti që ka në dispozicion FSHF-ja për stafin drejtues të ekipit kombëtar.
Rroga - Xhani de Biazi merr 22 mijë euro neto në muaj si rrogë nga FSHF-ja, ose thënë ndryshe plot 484 mijë euro në një edicion kualifikimesh. Kontrata e tij nuk është 24-mujore, pra dyvjeçare, por 22 mujore dhe skadon më 30 tetor 2013 (në fund të këtij muaji). Por jo gjithë kjo shumë shkon në xhepat e De Biazit, pasi me këto parà ai duhet të paguajë edhe tri ndihmësit e tij italianë: Paolo Tramexanin, Anxhelo Perenin dhe Alberto Belen. Këta të fundit, sipas informacioneve, përfitojnë 204 mijë euro, ndërsa 280 mijë euro është rroga neto e De Biazit, gjithnjë në një edicion kualifikimesh. Kësaj shume, pra 484 mijë eurove u shtohen edhe rreth 55 mijë euro (pak a shumë), parà që federata ia ka vënë në dispozicion stafit teknik për udhëtime në vëzhgim të lojtarëve shqiptarë në kampionate të ndryshme. Kështu, në total, “paketa De Biazi” i kushton federatës rreth 540 mijë euro në një edicion kualifikimesh.
Rinovimi - Ndërkohë, në takimin e bërë mes tyre në muajin gusht, De Biazi i ka kërkuar Dukës një rritje rroge prej 30 për qind nga kjo aktuale. Kjo do të thotë që italiani ka kërkuar 6600 euro më shumë në muaj, ose 145 mijë euro më shumë në totalin e përgjithshëm. Kështu, nga 540 mijë euro (përfshi edhe udhëtimet rreth 50-55 mijë euro), rroga e trajnerit duhet të shkojë te rreth 680 mijë euro në një edicion kualifikimesh (pra për EURO 2016). Nga ana tjetër, presidenti Duka i ka ofruar vetëm 10 për qind rritje rroge, ose më mirë 48.400 euro më shumë, çka totali do shkonte diku te 590 mijë euro. Madje, nisur sigurisht edhe nga dy humbjet e fundit të skuadrës sonë ndaj Sllovenisë dhe Islandës, njëshi i FSHF-së ka qenë edhe më i prerë dhe i drejtpërdrejtë, duke saktësuar se nuk do lëvizë nga oferta e tij edhe me koston e largimit të De Biazit. Mbetet tani të presim javën tjetër, kur italiani do jetë në Shqipëri për të parë nëse do ketë konsensus dhe një firmë të re mbi kontratën e De Biazit, apo Duka do vihet në kërkim të një trajneri të ri për Kombëtaren.
Grumbullimi, Edgar Çani rrezikon të lihet jashtë
Edgar Çani pritet të jetë risia e radhës e trajnerit të Kombëtares Xhani De Biazi. Në fakt, këtë herë kemi të bëjmë me një risi negative, pasi sulmuesi i Karpit, sipas informacioneve, është lënë jashtë listës për dy ndeshjet e këtij muaji ndaj Zvicrës më 11 tetor në “Qemal Stafa” dhe kundër Qipros katër ditë më vonë në Nikosia. Nisur nga forma e dobët që lojtari ka shfaqur jo vetëm në muajin shtator ndaj Sllovenisë dhe Islandës, por edhe te klubi i tij në Itali në Serinë B, duket se De Biazi ka hequr dorë nga Çani, duke u besuar më së shumti lojtarëve të tjerë në sulm. Kështu, për këto dy takime priten të thirren Bekim Balaj, Ahmed Januzi dhe Hamdi Salihi, teksa mësohet se janë lënë jashtë skuadre edhe Erjon Bogdani, për faktin se nuk ka ende një skuadër ku të aktivizohet, si dhe Armando Sadiku. Edhe ky nuk është preferuar, pasi ka treguar se nuk po kalon një moment të mirë te Lugano në Zvicër. Nuk dihet nëse do thirret sërish Agon Mehmeti, edhe ky një dështim në shtator, si dhe mesfushori me tipare sulmuese i Gaz Metanit, Azdren Llullaku.