E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kur serbët dhe një amerikan vendosin ndeshjet në Shqipëri

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kur serbët dhe një amerikan vendosin ndeshjet në Shqipëri

Pakkush e kishte menduar se vetëm pak vite pas krijimit të Kategorisë së Parë, serbët, nigerianët apo tashmë edhe një... amerikan do të bëheshin protagonistë kryesorë duke vendosur fatet e ndeshjeve.

ApoloniaNe javën e 15-të të kampionatit, janë serbët ata që marrin në dorë fatet e disa skuadrave të këtij kampionati, madje klube me emër dhe pretendime. Kosta Bajiç dhe Marko Rajkoviç kanë qenë emrat e lakuar gjatë fundjavës së kaluar në aksin Lezhë-Fier.

I pari me siguri që në Serbi është një prej mijëra lojtarëve normalë, por te Besëlidhja shihet si një prej shpëtimtarëve që mund t'i udhëheqë drejt Superiores. Shtatlarti realizoi tripletë në përballjen ndaj Kamzës dhe për të plotësuar "pokerin" mendon shqiptari i Maqedonisë, Hasan, që gjeti golin e parë me fanellën që ka nisur të veshë në janar. Apolonia vazhdon ndjekjen dhe ndaj Sopotit e nderon pikërisht një serb.

Marko Rajkoviç luan sezonin e tij të dytë në Fier dhe të shtunën mjaftoi dopieta e tij për të marrë 3-pikëshin. E veçanta e pazakontë e këtij sezoni është se në këtë kampionat ka edhe një amerikan. Për herë të parë në Kategorinë e Parë dhe ndoshta në futbollin shqiptar vjen të luajë një lojtar nga SHBA.

Austin Rogers është "gardiani" që Besa i ka besuar portën. Këtë javë pësoi katër gola në Peshkopi nga Korabi ku te goli i parë kishte faj. Në Grupin A, dibranët vazhdojnë të kryesojnë, ndërsa trajneri i Besës, Ylber Zani, dha dorëheqjen. Kastrioti fiton "derbin" me Ilirinë.

Të besuarve të Plorit u kanë mjaftuar katër minuta për të përmbysur disavantazhin. Sulmi është në formë të mirë me Malon e Hysën që mbajnë skuadrën në garën për vendin e parë. Burreli bën një lëvizje të befasishme në stol kur vetëm pak orë përpara ndeshjes me Erzenin afron si trajner Ritvan Kullin. Matjanët sigurojnë një fitore të rëndësishme për synimin që ka, mbijetesën.

"Finalja" e vendeve të fundit në renditje mes Adës dhe Mamurrasit nuk nxjerr fitues dhe gjithçka përfundon në barazim 0-0. Mamurrzakët mbeten sërish të fundit dhe shpëtimi nga rënia do të jetë një mision shumë i vështirë. Në Grupin B, Luftëtari vuan shumë për fitoren e parë të vitit në fushën e vet.

Ndaj Butrintit, bluzinjtë i falen një 11-metërshi për të siguruar fitoren. Ramadani shmang një blof që mund të rezultonte fatal për Luftëtarin. Diferencat ruhen të njëjta me rivalët. Ndërsa sulmuesit janë kryqëzuar për rastet e humbura. Pogradeci rikthehet te fitorja pas humbjes së javës së kaluar. Skuadra e drejtuar nga Gentjan Stojku ka mundur me vështirësi Lushnjën duke ruajtur vendin e tretë.

Ndërsa lushnjarët po kalojnë krizën më të thellë ndoshta të viteve të fundit. Verdhejeshilët kanë pësuar pesë humbje radhazi, në një kohë që në sfidën e së shtunës ekipi ishte thuajse i dorëzuar, pasi një pjesë e titullarëve ishin lënë pushim. Dinamo nis t'i largohet vendeve të fundit, ndërsa stadiumi i Kavajës po rezulton me fat për blutë.

Të besuarit e Igli Allmuçës fitojnë 3-1 dhe zhysin akoma më në krizë Elbasanin. Verdheblutë kanë lëshuar prej kohësh alarmin "SOS" dhe vazhdojnë të jenë të fundit. Mbijetesa bëhet gjithmonë e më e vështirë. Përballja mes skuadrave që luftojnë për t'i shpëtuar rënies mes Shkumbinit dhe Turbinës fitohet nga peqinasit që hedhin një hap të rëndësishëm në luftën e tyre. Sfida zgjidhet në limite nga Arvist Gjata, pas një goditjeje perfekte dënimi.

Lëvizjet surprizë

Në javën e kaluar të Kategorisë së Parë ndodhën dy lëvizje surprizë për sa u përket trajnerëve.

Drejtuesit e Burrelit afruan vetëm disa orë përpara sfidës me Erzenin trajnerin Ritvan Kulli. Ndërsa Ylber Zani i Besës dha dorëheqjen pas humbjes që skuadra e tij pësoi në Peshkopi nga Korabi. Por, e veçanta është se arsyeja e dorëheqjes së Zanit ka ardhur për arsye shëndetësore.

Përgatiti: Besar Bozgo