e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kur arbitrat vendosin garën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kur arbitrat vendosin garën

Nga JORGIS MEMO

jorgisiËshtë gati e pabesueshme ajo që po ndodh me arbitrat. Java e fundit e Kategorisë Superiore konfirmoi edhe një herë se gjyqtarët shqiptarë e kanë shumë të vështirë për të mbajtur një standard arbitrimi.

Gabime të njëpasnjëshme që mbushin kupën dhe që natyrshëm më pas cilësohen nga klubet si të qëllimshme. Penallti të mohuara, gola fantazmë, kartonë "të porositur" dhe, në fund, ndikim direkt në rezultatet e takimeve.

Mjafton të përmendësh rastet e ndeshjeve TiranaSkënderbeu 1-2 (faza e dytë) dhe atë të fundit në Korçë (1-0 për vendësit) për të hedhur poshtë alibinë e vazhdueshme që kanë gjyqtarët sa herë nuk japin vendimet që duhen. Gabimet njerëzore tashmë janë kthyer në ato me dashje. Në këtë histori, Skënderbeu, por jo vetëm duket më i përkëdheluri.

Gjithsesi, kemi ardhur në një moment kur arbitrat po vendosin garën, pasi me vendimet e tyre po hedhin poshtë investimet e klubeve. Integriteti i "bluzave të zeza" ka rënë ndjeshëm dhe FSHF si rregullatore e këtij kampionati, së pari duhet të ketë vullnetin për ta zgjidhur këtë gangrenë. Mirëpo, në këtë situatë, me sa duket edhe federata nuk di kujt t'ia prishë dhe kujt t'ia ndreqë. Ka klube që preken dhe që favorizohen dukshëm nga arbitrat.

Presidenti Duka u është drejtuar dje gjyqtarëve me fjalët: "Ndeshjet lërini t'i zgjidhin skuadrat, ju nuk duhet të ndikoni në rezultat me vendimet që merrni".

Një mbledhje disi e vonuar, edhe pse ka kaluar më shumë se gjysma e sezonit. Ndërsa për ata që merren me gjyqtarët ka një shprehje: "gabime do të ketë gjithnjë". Megjithatë, tashmë problemi madhor është se këto gabime po vendosin kampionatin, aty ku diferencat janë të vogla mes skuadrave dhe një penallti apo një gol i anuluar me pa të drejtë vlen sa i gjithë sezoni.

Llogaritë do të bëhen në fund, por me këtë marsh gabimesh arbitrat duket se po e vulosin që tani garën. Një tjetër handikap ka të bëjë me dënimet që marrin arbitrat.

Edhe vetë këta të fundit po të pyesësh, nuk ankohen kur dënohen. Po pse ndodh kështu? Sepse dënohen dy javë apo maksimumi 6 javë?! Më pas janë të njëjtët, madje ata që bëjnë më shumë gabime i sheh në ndeshjet më të rëndësishme sërish.

"Çudia më e madhe 3 ditë zgjat", kështu që pjesa dërrmuese e arbitrave vazhdojnë misionin e tyre. Janë të korruptuar? Quajini si të doni, por ama shefi i tyre, Tahir Kastrati, pret që t'i vijë një denoncim për arbitrat e përfshirë në afera. "Deri më tani nuk kemi asnjë rast", pat thënë Kastrati, i cili është zotuar se marrëdhëniet e tij me klubet janë vetëm institucionale dhe zyrtare. Skënderbeu dhe... Tirana Pas ndeshjes së të hënës në Korçë, trajneri Mirel Josa dhe portieri Orges Shehi pranuan se Tiranës iu mohua një penallti. U treguan burra! OK, por nuk mund të fshiheshin për një rast që e kundërshtoi vetëm Vangjeli (mbrojtësi që pengoi Gilman Likën të shkonte te goli).

Ndërsa atyre mbi Josën dhe Shehin në klubin korçar zor se u bën përshtypje kjo situatë. Befas janë ata që viktimizoheshin në fillimin e sezonit për arbitrat, duke u ankuar pas një ndeshjeje ndaj Partizanit, ndërsa tani po heshtin. Skënderbeu i superinvestuar, ku shpesh thuhet se me kontingjentin që ka, bën dy skuadra, nuk ka pse të ketë nevojë për një dorë nga arbitrat.

Megjithatë, Tirana, klubi 24 herë kampion i Shqipërisë, me një deklaratë dy ditë më parë shigjetoi korçarët, duke iu zbuluar prapaskenën. "Gjyqtari Andi Koçi, bashkë me Enea Jorgjin, janë të preferuarit e presidentit të Skënderbeut, pasi janë ata që arbitrojnë vazhdimisht këtë ekip", thuhej në reagimin-akuzë të klubit bardheblu.

I njëjti konstatim prej kohësh qarkullon në korridoret e FSHF-së nga ata njerëz që punojnë në sektorin e gjykimit. Megjithatë, ka edhe një batutë në lidhje me Korçën, por këtë herë nga arbitrat e Tiranës: "Korça të heq, Korça të vë". Në këto gjashtë vite dominim të Skënderbeut, ata arbitra që kanë gabuar në dëm të korçarëve janë dënuar sistematikisht nga FSHF.

Dikur Enea Jorgji sulmohej nga Flamurtari si një arbitër që favorizonte Skënderbeun. Prej asaj kohe, elbasanasi ka marrë stemën e FIFA-s. Tashmë që Andi Koçi u kontestua nga Tirana, por edhe Partizani në fazën e dytë, ndoshta mund të jetë arbitri i radhës ndërkombëtar shqiptar. Pezullimi pa afat që ka marrë nga FSHF-ja do të harrohet shpejt, sepse jeta vazhdon dhe deri në fund të sezonit do të ndodhin shumë gjëra për të sfumuar rastet aktuale.