e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Miratohet, Bashkia do blejë aksionet e Elbasanit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Miratohet, Bashkia do blejë aksionet e Elbasanit

Këshilli Bashkiak jep "dritën jeshile" për blerjen e aksioneve të KF Elbasanit. Bëhet fjalë për 8.69% që janë në zotërim të Gentian Çërragës, teksa ky i fundit pak ditë më parë i nxori ato zyrtarisht në shitje në shifrën e 80 milionë lekëve të vjetër. Jaupi-ElbasaniKa qenë vetë Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, ai që e hapi për diskutim këtë çështje jashtë rendit të ditës, ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë edhe "Panorama Sport".

Pasi u ra parimisht dakord që të hyhet në bisedime me Çërragën për blerjen e aksioneve të tij nga Bashkia, u ngrit një komision prej 5 anëtarësh që do të merret me këtë çështje.

Sejdini

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Qazim Sejdini u shpreh:

"Çërraga e ka dërguar ofertën për shitjen e aksioneve të tij 8.69% për të na hapur në këtë mënyrë rrugën për të kaluar në maxhorancë ku të investojmë dhe ta sistemojmë një herë e mirë këtë problem. Ai ua ka nxjerrë në shitje aksionerëve, por Arben Laze është tërhequr dhe ne tani duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë.

Nëse biem dakord në parim, atëherë caktojmë një komision nga të gjitha grupet dhe të hyjnë në negociata fillestare, para se të bëhet rruga ligjore për mënyrën e blerjes.

Duhet të veprojmë me shpejtësi, pasi është një punë që nuk pret", u shpreh fillimisht Sejdini. Më tej, kryebashkiaku sqaroi:

"Deri më tani ne nuk mund të bëjmë asnjë veprim në QKR dhe bankë, pasi llogaritë e shoqërisë janë të bllokuara. Në këto kushte, ne nuk japim dot para për shoqërinë dhe ekipi është i destinuar të falimentojë.

Por, po u shpall falimentimi, është e njëjta gjë sikur të krijohet një skuadër nga fillimi. Prandaj, jemi të detyruar ta bëjmë këtë sforco, sepse kemi mundësi veprimi dhe investimet tona të njihen si rritje aksionesh dhe të dalim nga situata.

Pas marrjes së aksioneve, kemi ende shumë punë, pasi duhet të kontaktojmë me shoqëritë përmbaruese për zhbllokimin e borxheve, derisa të gjejmë më pas ndonjë donator tjetër që të financojë për klubin.

Këto probleme duhet të zgjidhen brenda ditës së premte, sepse duhen bërë edhe takimet me sportistët. Duhet të veprojmë shpejt, pasi brenda datës 10 mars kemi buxhetin dhe t'i fusim edhe këto në buxhet", sqaroi Kryebashkiaku këshilltarët për këtë çështje. Tashmë, pritet të shihen hapat e mëtejshëm në lidhje me këtë çështje.

Laze: Gati të shes aksionet

Presidenti aktual i Elbasanit, Arben Laze, ishte i pari që lëshoi alarmin në lidhje me situatën e vështirë që po kalonte klubi.

Madje, në një prononcim për gazetën "Panorama Sport" disa javë më parë, ai deklaroi se ishte i gatshëm të shiste një pjesë të aksioneve që zotëronte.

"Kam financuar me shpirt për rreth një dekadë për këtë klub duke bërë gjithçka. Por, vjen një moment kur nuk janë më mundësitë. Jam i hapur që të shes aksionet për çdo biznesmen që dëshiron të afrohet tek Elbasani", deklaroi Laze. Por, disa ditë më parë, në një prononcim tjetër, presidenti u shpreh se nuk kishte marrë asnjë ofertë konkrete.

Përgatiti: VLADIMIR MEMA