Kuliçaj në Komisionin e Etikës. Hasanbelliu: Ky është një turp
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në Asamblenë e Zakonshme të Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës ka qenë edhe votimi për anëtarët e Komisionit të Etikës.
Nga anëtarët e komisionit të deritanishëm, nuk ka rikandiduar vetëm Adriatik Braçe, në vend të të cilit është një prurje e re nga politika, apo edhe organet e rendit. Bëhet fjalë për ish-nëndrejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, me një karrierë të gjatë në drejtimin e strukturave të rendit në vendin tonë.
Përzgjedhja Për procedurë, federata ka propozuar tre emra për të qenë anëtarë të komisionit të procesit të votimit dhe më pas të numërimit të votave të delegatëve që do të votonin për anëtarët e rinj të këtij komisioni. Pas një mbledhjeje të parë që kanë bërë gjatë punimeve të Asamblesë, Genc Tomorri është zgjedhur kryetar i komisionit dhe Armir Grima e Hiqmet Çela anëtarë të tij.
Ky komision ka ftuar të gjithë delegatët e pranishëm në sallë me të drejtë vote që të mund të votonin për përzgjedhjen e Etikës. Ka qenë presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, që është thërritur i pari, por Profit Canaj ka hedhur votën e parë në kutinë e votimit.
Rezultatet Sipas komisionit, ka pasur 66 fletë të vlefshme votimi dhe kanë votuar vetëm 59 anëtarë. Kryetari aktual i këtij komisioni Fatmir Braka dhe anëtarët Ardian Leka, Bashkim Koka dhe Bejkush Birçe kanë marrë votat e mjaftueshme për të rikonfirmuar mandatin e tyre.
Emri i ri që ka marrë gjithashtu vota të mjaftueshme për këtë mandat ka qenë ai i Agron Kuliçajt. Emrat e tjerë që kanë qenë kandidatë dhe që nuk ia kanë dalë të siguronin votat e duhura për të marrë një mandat janë Hito Hitaj me 19 vota, Dashnor Sula me shtatë vota dhe Suel Hadri me 6 vota. Në statusin e FSHF-së thuhet se Komisioni i Etikes ka për objekt shqyrtimin e rregullave të etikës, të sjelljes, si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me paracaktimin e rezultateve të ndeshjeve nga të gjithë zyrtarët.
Hasanbelliu: Zgjedhja e Kuliçajt një turp, Duka ka përgjegjësi
Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, e ka cilë- suar të turpshme zgjedhjen e Agron Kuliçajt si anëtar të Komisionit të Etikës. Në një prononcim për "Panorama Sport" kreu i klubit durrsak e cilësoi të paprecedentë zgjedhjen e tij.
"Është absurde që Kuliçaj të zgjidhet anëtar i Komisionit të Etikës. Ç'lidhje ka ky njeri me futbollin dhe përse duhet të jetë aty?! Këto janë gjëra të paprecedenta dhe të panevojshme", u shpreh kreu i klubit durrsak.
I pyetur se përse kishte këtë qëndrim kaq të ashpër mbi ish-nëndrejtorin e Përgjithshëm të policisë, Hasanbelliu foli prerazi: "Ky njeri nuk ka asnjë lidhje me futbollin.
Kjo që ka ndodhur dje në Asamblenë e Zakonshme të FSHF-së është skandaloze! Nuk mundet që një njeri i tillë të jetë pjesë e atij Komisioni. Ky është njeri i policisë dhe jo i futbollit. Me sa duket e ka zgjedhur Duka, sepse propozimet për anëtarët i ka bërë ai. Është turp i Dukës që bën pjesë të futbollit njerëz të tillë pa identitet", deklaroi presidenti i Teutës.