Gomes: Shqipëria ka përparuar, Partizani i etur për titullin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mesfushori Felipe Gomes është rrëfyer për mediat braziliane për aventurën e tij të re që ka marrë në Shqipëri, ku pas 10 vitesh karriere në Itali, hapin e madh e kërkon si pjesë të Partizanit. Ja shkrimi që "esporte.ig.com.br" ka bërë për 28- vjeçarin brazilian:
Filipe Gomes, mesfushori që luan me Partizanin në Shqipëri, asnjëherë nuk ka marrë pjesë në veprimtari të mëdha futbollistike, por me aventurën e re që ka nisur, gjërat mund të ndryshojë dhe ai mund të ecë përpara.
Ai ka kaluar në një vend të vogël me 3 milionë banorë, që pozicionohet në Gadishullin Ballkanik, në juglindje të Europës, një vend që ka siguruar pjesëmarrjen në 'Euro 2016', si debutuese në këtë veprimtari. Për të kuptuar se sa e rëndësishme është aventura që ka nisur në Shqipëri, "iG Esporte" ka kontaktuar me Filipe Gomesin.
Mesfushori brazilian është pjesë e Partizanit, një nga klubet më popullore në Shqipëri. 28-vjeçari ka kaluar një eksperiencë të mirë në Itali, megjithatë ai është optimist për aventurën që ka nisur në një vend si Shqipëria, e cila nuk ka traditë në këtë sport. "Nga ajo që kam parë, niveli i futbollit shqiptar nuk është shumë i lartë. Është thuajse si në Serinë B në Itali, por futbolli ka tendencë përmirësimi. Edhe vetë Shqipëria, si vend, po rritet. Kualifikimi në 'Euro 2016' e ndihmon zhvillimin e futbollit shqiptar", u shpreh së pari Filipe.
Aventura e re- Filipe është transferuar në fillim të vitit te Partizani, në formë huazimi nga Peruxhia. Në këto ndeshje të para, mesfushori është munduar që ta ndihmojë ekipin e tij për betejën që po zhvillon në kampionat, ku Partizani mban vendin e dytë me 4 pikë diferencë nga Skënderbeu i vendit të parë, si dhe 14 pikë më shumë se skuadra e vendit të tretë.
Ekipi që fiton titullin kampion në Shqipëri siguron pjesëmarrjen në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë sigurojnë pjesëmarrjen në eliminatoret e Ligës së Europës. Kjo ka qenë nja nga arsyet që braziliani pranoi huazimin gjashtëmujor në një vend tjetër.
"95% e lojtarëve të Kombëtares shqiptare luajnë jashtë vendit, por këtu gjenden shumë lojtarë të rinj dhe me perspektivë, si dhe futbollistë të huaj që e përmirësojnë më shumë nivelin. Klubet i kanë përmirësuar shumë rrogat e lojtarëve dhe pjesëmarrja në Champions e në Kupat e Europës i bën klubet më të pasura. Për këtë arsye, investohet edhe në sjelljen e lojtarëve cilësorë në ekipe.
E ardhmja ime duket e mirë dhe e shikoj si një eksperiencë të madhe, dhe zgjedhjen e Shqipërisë e konsideroj si gjetje", vijoi më tej braziliani i të kuqve. Partizani-Filipe e ka nisur futbollin në Brazil te klubi i Vasko De Gamës dhe në moshën 18-vjeçare u bë pjesë e Fiorentinës.
"Kam shpenzuar 10 vite në Itali ku kam luajtur me disa ekipe, para se të transferohesha në Shqipëri". Pas Fiorentinës, Filipe kaloi te Roma, Siena, Komo, Vareze, Leçe dhe Peruxhia, me të cilën ka një kontratë deri në vitin 2018. Shqipëria konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha për Filipe Gomesin, ku me Partizanin lufton për titullin kampion, trofe i cili i mungon klubit prej 23 vitesh.
Duke qenë se titulli i fundit është fituar në vitin 1993, përgjegjësia tek ai dhe shokët e ekipit është shumë e madhe. "Klubi ka pasur disa probleme në të shkuarën, ku edhe ka zbritur nga Kategoria, por u kthye sërish në elitë me një skuadër konkurruese. Presioni është i madh, tifozët nuk e durojnë më mungesën e titujve, dhe këtë vit duket si sezoni i duhur për të fituar trofeun. Presioni për titull vjen nga tifozët, bordi drejtues dhe presidenti gjithashtu", pohoi Filipe.
Jeta në Tiranë- Për gjërat që nuk kanë lidhje me fushën e blertë dhe stërvitjen, Filipe pohoi se jeta në Shqipëri është shumë e mirë, madje ai është surprizuar nga realiteti që ka gjetur në Tiranë. Gjithsesi, komunikimi mbetet problemi më i madh për brazilianin, pasi nuk e njeh gjuhën shqipe.
"Në Tiranë është shumë qetë. Qyteti ka zona me infrastrukturë të re, si një qendër e dytë. Me çdo gjë të re, restorante, bare, dyqane. Struktura është shumë e mirë, ne realizojmë gjithçka në zonën ku banoj. Në këtë mënyrë nuk më duhet makina, pasi shtëpia ime është pranë vendqëndrimit dhe hotelit të klubit ku grumbullohemi, kështu që e bëj në këmbë rrugën.
Jeta në Tiranë është shumë e mirë, madje jam shumë i impresionuar. Të mos harrojmë se aktualisht jam në Europë. Dikur ka qenë komunizëm, por gjërat janë përmirësuar shumë pas kësaj periudhe. Shqipëria është një vend i qetë dhe nuk ka dhunë në rrugët e qytetit".
"Gjuha është problemi më i madh për mua. Këtu flitet shqip, gjuhë ballkanike, por merrem vesh në italisht dhe në anglisht. Kultura italiane është thuajse e përafërt me realitetin shqiptar, kështu që nuk e kam pasur problem që të përshtatem", deklaroi 28-vjeçari.
Rikthimi në Brazil?- " Nuk mund ta parashikoj, por dëshira është e madhe. Jetoj prej 11 vitesh në Europë dhe malli për atdheun më mundon, kështu që rikthimi do të ishte diçka e madhe për mua. Po e mendoj një gjë të tillë, mbase jo në një ekip si Vasko De Gama, pasi kjo do të ishte një ëndërr për mua", përfundoi mesfushori i Partizanit, Filipe Gomes.