e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Drejtues të përgjumur dhe bezdi nga fjalimet, ja çfarë nuk u pa

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Drejtues të përgjumur dhe bezdi nga fjalimet, ja çfarë nuk u pa

Drejtues klubesh të përgjumur dhe bezdi për fjalimet e gjata të krerëve të FSHF-së. Kjo ka qenë panorama e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, që u zhvillua dje te 15-katëshi. Në orën 09:00 gjithçka duhet të niste.as Për përfaqësuesit e klubeve nga rrethet e largëta të Shqipërisë ky orar nuk ishte i favorshëm. Gjithsesi, më korrektët ishin drejtuesit e klubeve të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, të cilët zunë vend të parët në një nga sallat e hotelit ku do të zhvilloheshin punimet e Asamblesë.

Shefi i sektorit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi, bashkë me zyrtarët e tjerë të federatës, duhet të kujdesej për t'u sqaruar pozicionet ku do të vendoseshin drejtuesit e klubeve. FSHF kishte menduar që të mos përplaste rivalët.

Kështu, presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, e kishte vënë disa vende më larg se ai i Partizanit, Gazmend Demi. Ky i fundit kishte në krah Safet Gjicin e Kukësit, ndërsa ngjitur me Takajn qëndronte Refik Halili i Tiranës. Gjici, Demi dhe Halili kishin zënë vendet në orarin e caktuar, ndërsa si për koincidencë, sapo nisi ekzekutimi i himnit përpara startit të Asamblesë, vjen edhe Takaj.

Ky i fundit nuk mund të ulej për pak sekonda, pasi duhet të qëndronte në këmbë për të respektuar himnin. Pas dekorimeve të fillimit, vjen fjalimi për gati 18 minuta i presidentit Armand Duka. Disa prej drejtuesve të klubeve bënin sikur dëgjonin, disa të tjerë shfletonin materialet e asamblesë, ku ato që thoshte Duka mund t'i lexonin edhe aty.

Ndërsa kishte edhe vetë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, të cilët gjetën kohën për të shfletuar edhe shtypin sportiv. Përjashtim bënte vetëm zv.presidenti Edvin Libohova, i cili më shumë i interesonte të lexonte një gazetë politike në momentin kur fjalimi i Dukës po zgjaste shumë. Kur nuk kishte më shumë se një orë që fillimi i asamblesë, disa nga përfaqësuesit e klubeve dolën në hollin e hotelit për të pirë ndonjë kafe apo të tjerë për të ndezur ndonjë cigare.

Presidenti i Laçit, Pashk Laska, preferoi një takim kokë më kokë disa minuta me menaxherin e Kombëtares, Alban Bushi. Fjalimet nga podiumi i linin vendin njëri-tjetrit, ndërsa në sallë dukej sikur pjesës dërrmuese i flihej gjumë.

Të shumtë ishin që fërkonin sytë dhe situatën më mirë se kushdo e kapi shefi i gjyqtarëve, Tahir Kastrati. Pasi ishte dëgjuar shpjegimi i gjatë që bëri shefi i marketingut, Gazmend Malo, për risitë në Kategorinë Superiore, Kastrati e tha troç:

"E shoh që gjërat rutinë po ju mërzisin, kështu që unë po mundohem t'i bie shkurt, duke mos e lexuar të plotë materialin". Mirëpo, njëshi i arbitrave u duk sikur i ra më gjatë nga çfarë parashikohej. Kur pritej të përfundonte, në sallë duartroket para kohe shefi i klubit të Gramozit, Ilir Qirjako. Në këtë moment ka ovacione, madje Duka & CO nuk mund të përmbahen nga të qeshurat. Kjo ishte Asambleja, ku klubet edhe një herë tjetër treguan se e kanë bezdi të merren me mbledhje të tilla...