Kukesi, nje tjeter hap drejt historise
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kushdo që e ka cilësuar Kukësin një skuadër “të vogël”, tashmë duhet të kthejë mbrapsht fjalët e thëna, pasi nënkampionët e Shqipërisë janë konfirmuar si “të mëdhenj” me një tjetër fitore ndërkombëtare. Suksesi 3-2 në Europa League përballë Sarajevo në ndeshjen e luajtur në “Qemal Stafa”, mban gjallë shanset e kuksianëve për një kualifikim në turin e tretë paraeliminator të këtij turneu. Por njëkohësisht, fitorja ka treguar se skuadra e Cungut është rritur, aq sa për të përmbysur një rezultat që deri në minutën e fundit të pjesës së parë dukej se nuk do t’u buzëqeshte kuksianëve.
Skuadra shqiptare e ka filluar disi e ndrojtur takimin, pa freskinë e shfaqur në ndeshjet e kaluara, e ndikuar edhe nga mungesat në prapavijë të Musollit të pezulluar e Hallaçit të sëmurë. Melunoviç godet traun pas një gjuajtje me kokë, ndërsa për minuta të tëra, loja zhvillohet në mesfushën e kuksianëve. Por me kundërsulmin e parë të rrezikshëm, ekipi shqiptar gjen golin, me anë të kosovarit Hoxha, i cili përfiton nga një pavëmendje e mbrojtjes kundërshtare dhe portierit Bandoviç, për të dërguar topin në rrjetë kur regjistrohej minuta e 24-t e ndeshjes.
Megjithatë, entuziazmi i kuksianëve zgjat shumë pak, pasi pa kaluar 10 minuta, situata ishte përmbysur plotësisht. Fillimisht ishte Popoviç që tregoi instinktet e sulmuesit, fatkeqësisht duke shënuar në portën e gabuar, me një autogol që barazoi rezultatin, e vetëm një minutë më vonë, Todoroviç përfitoi nga përgjumja e plotë e mbrojtjes për të dërguar përsëri topin në rrjetën e Halilit. Kukësi kalon në panik dhe për shumë minuta me radhë kuksianët gabojnë edhe gjërat më të thjeshta. Por Popoviç në minutën e parë shtesë të ndeshjes gjen portën e duhur duke vendosur barazinë në shifra me një gjuajtje me kokë, për të shlyer gabimin e disa minutave më parë.
Duket se Cungu kishte dhënë udhëzimet e duhura në pushimin e ndeshjes, pasi Kukësi kthehet në fushën e lojës më i sigurt dhe pasi krijon 2-3 raste, arrin të kalojë në avantazh, falë edhe një tjetër gafe të portierit Bandoviç. Gardiani i skuadrës boshnjake driblon me këmbë Prognin, por nuk bën të njëjtën gjë ndaj Allmuçës që përfiton duke dërguar topin në portën e boshatisur. Minuta e 58-të dhe shifrat tani janë 3-2 për Kukësin, që beson jo vetëm se mund të marrë fitoren, por edhe se mund të thellojë këtë rezultat. Ndaj minutat e mbetura të ndeshjes janë një lojë e hapur, me sulme nga të dyja palët, por me kuksianët që krijojnë rreziqet më të mëdha në portën kundërshtare. Gjithsesi, rezultati nuk ndryshon deri në vërshëllimën përfundimtare, duke dekretuar këtë sukses të kuksianëve, të cilët treguan se kanë shanse reale për të kaluar në turin e tretë paraeliminator të Europa League. Por në ndeshjen e javës së ardhshme në stadiumin “Asim Ferhatoviç Hase” të Sarajevës, duhet të kthehet Kukësi hermetik, ai i pakalueshmi në mbrojtje që funksionoi aq mirë në Estoni dhe që dha sinjalet e para të kësaj ecurie historike në Europë.
Kukësi-Sarajevo 3-2
Shënues: 24’ Hoxha, 45’+1’ Popoviç, 58’ Allmuça / 32’ (ag.) Popoviç, 33’ Todoroviç
Kukësi: Halili, Brahja, Malakarne, Peqini, Malota, Progni, Allmuça, Alikaj (90’+2’ Mziu), Karabeci, Popoviç (76’ Malindi), Hoxha (79’ Manuka).
Trajner: A. Cungu
Sarajevo: Bandoviç, Raduloviç (81’ Kariç), Tatomiroviç, Tadejeviç, Dupovac, Haurdiç, Todoroviç (72’ Shunjevariç), Dzhakmiç, Cimirot, Suljiç, Melunoviç.
Trajner: H. Musemiç
Gjyqtarë: A. Zhakotet, R. Zeder, S. De Almeida (Zvicer)
KV: Peqini / Tadejeviç, Suljiç, Melunoviç