Kukësi mendon finalen, drejtuesit përgatisin kërkesën për të gjyqtarë të huaj
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kukësi ka një çështje tjetër shumë të ndjeshme që e shqetëson. Ajo është finalja e Kupës së Shqipërisë.
Edhe pse akoma nuk e ka siguruar përfundimisht atë, e cila pritet të luhet më datë 21 maj, nga kampi kuksian janë të sigurt që do shkojnë dhe kanë nisur të mendojnë rreth saj. Kjo, pasi ata kanë hedhur hapin e parë dhe të sigurt, ku kanë fituar 0-2 në Vlorë.
Nga burime të sigurta brenda klubit, "Panorama Sport" zbulon se zyrtarët e Kukësit po përgatitin një shkresë zyrtare, të cilën do ta depozitojnë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit me anë të së cilës do kërkojnë gjyqtarë të huaj për të arbitruar në Finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi nuk kanë besim tek arbitrat shqiptarë. Kjo, për vetë faktet dhe precedentët e mëparshëm që kanë ndodhur në finalet e mëparshme për Kukësin, por dhe për skuadra të tjera shqiptare.
Drejtuesit e skuadrës kuksiane i druhen shumë arbitrimit, jo sepse nuk ka ndonjë bilbil shqiptar që të gjykojë një sfidë të tillë, por u frikësohen aleancave dhe ndikimeve direkte dhe të tërthorta te gjyqtarët, në një sfidë delikate siç mund të jetë ajo e finales.
Këtë fakt e ka zbuluar dhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Ekrem Spahia, i cili i ftuar në emisionin "Ora Skaner" të moderatorit Gerti Çarçani ka thënë: "Po përgatitim një shkresë zyrtare, të cilën do ta çojmë në Federatën Shqiptare të Futbollit, me anë të së cilës do kërkojmë nga organi më i lartë i futbollit shqiptar që finalja e Kupës së Shqipërisë të gjykohet nga arbitra të huaj, për faktin se është një sfidë delikate. Jo se nuk besojmë tek arbitrat shqiptarë, por duke parë precedentët e mëparshëm do t'i kërkojmë federatës që të gjykohet nga arbitra të huaj", është shprehur Spahia.