Kukësi kundër arbitrit: Pashaji të mos na gjykojë më!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Menjëherë pas humbjes së djeshme me Partizanin, drejtuesit e Kukësit kanë dalë me një deklaratë për mediat, ku kanë kërkuar që gjyqtari i takimit të djeshëm, Bardhyl Pashaji, të mos gjykojë asnjë takim të tyre në të ardhmen.
Sipas drejtuesve të klubit, ky arbitër është tallur me investimet e presidencës. Në takimin e djeshëm, verilindorët kanë pretenduar të paktën tre raste për 11-metërsh, që nuk janë akorduar. "E konsiderojmë skandaloz dhe të njëanshëm gjykimin e arbitrit Pashaj.
Prandaj ne do t'i drejtohemi komisionit të arbitrimit për këtë person që e ka nxirë futbollin shqiptar dhe në veçanti futbollin e skuadrës së Kukësit. Do të kërkojmë që ky gjyqtar të mos jetë më prezent në asnjë ndeshje të Kukësit.
Nuk është hera e parë që ky njeri, në këtë stadium, por edhe në fusha të tjera ka hedhur poshtë gjithë investimin që bën presidenti, gjithë investimin që bën klubi i Kukësit, gjithë mundin dhe djersën e skuadrës sonë që është një ekip elitar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë.
Megjithatë ai u tall edhe me tifozët, të cilët sot kishin udhëtuar të shumtë nga Kukësi. Gjithsesi, vetë federata dhe komisioni i arbitrimit duhet t'u thotë ndal, pasi e kanë shkelur futbollin shqiptar dhe e kanë bërë baltë", thuhet në reagimin e klubit.